TIRANE – Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar disa fotografi makinash luksoze, me pretendimin se i përkasin nipit të ish-diktatorit Enver Hoxha, i akuzuar për trafikim ndërkombëtar lëndësh narkotike. Reagimet në faqen e tij në “Facebook” kanë qenë të shumta, kryesisht në fotografinë e një “Hummeri” që drejtohet nga pejani Kastriot Kukaj, i cili u vra në vitin 2013.
Ja disa nga komentet në FB:
“Prezanto fakte tjera ju lutemi. Ky është tashmë i ndjeri Toti Kuka dhe këtë makinë e mban familja e tij në Pejë. Kujtimi s’ka të bëjë fare me ato që thoni, të gjitha makinat në vazhdim janë të dizajnuara nga i ndjeri Toti dhe gjenden nëpër Kosovë… “Heke kët foto ky osht Kastriot Kuka, tash i ndjerë heke sa ma shpejt”
“Unë personalisht do ta padis. Për njollosje të emrit dhe sendeve të vëllaut TOTI”.
“Ky është H2-shi i Totit, nuk është i nipit Enver Hoxhës hasha”
“Kjo osht makina Kastriot Kukes nga Peja tash e 1 vit ka vdekur makinat i ka familja i ban kujtim nga i ndjeri Kastriot Kuka Toti”.
Lidhur me publikimin e kësaj fotografie kanë reaguar edhe të afërmit e Kukajt.
“Kastriot Kukaj është djali i hallës sime dhe prej tetorit të vitit 2013 nuk jeton më. Makinën, të cilën Berisha e ka hedhur në Facebook, është e djalit të hallës sime dhe së bashku e kemi sjellë nga Amerika. Madje edhe një makinë tjetër në fotot e që ka hedhur ishkryeministri i Shqipërisë është e jona. E kemi marrë në Amerikë. Kjo që Berisha ka bërë është e turpshme. Do t’i thosha Sali Berishës se gjesti i tij është i turpshëm. Është turp i turpeve. E theksoj, të publikosh foton e një të ndjeri, për diçka që nuk ka të bëjë me të, është një turp i madh”, – deklaroi per një gazetë në Tiranë, kushëriri i Kastriotit, Mendrit Berisha.
(er.nu/BalkanWeb)
