Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po merr pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalias, i cili këtë vit zhvillohet nën temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”. Në fjalën e saj para pjesëmarrësve, ajo vuri theksin tek aleanca e palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, marrëdhëniet strategjike me Turqinë, dhe sfidat që shoqërojnë dialogun me Serbinë.
Duke folur për përkrahjen ndërkombëtare që Kosova ka marrë ndër vite, Osmani theksoi rolin vendimtar të SHBA-së dhe Turqisë në proceset më të rëndësishme të shtetformimit. “Këto dy shtete kanë qenë gjithmonë përkrah nesh, në ditët më të vështira dhe më të rëndësishme për vendin tonë,” tha ajo.
Gjatë qëndrimit në Antalia, Presidentja Osmani u takua me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për të cilin u shpreh se ka qenë gjithmonë një përkrahës i fuqishëm i Kosovës dhe një mik i dëshmuar në çdo hap të zhvillimit të saj. Gjithashtu, ajo zhvilloi një takim edhe me presidentin sirian, Ahmet al Sharaa, me të cilin diskutoi mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Osmani theksoi se Kosova dhe Siria ndajnë përvoja të ngjashme të dhimbshme nga luftërat, shpërnguljet dhe përpjekjet për rindërtim.
Në lidhje me procesin e dialogut me Serbinë, Osmani e përshkroi atë si të përqendruar në njohjen e ndërsjellë, ndërsa theksoi pengesat që sjell qasja destruktive e Serbisë. Ajo kërkoi që Serbia të hapë arkivat e saj nga vitet ‘90 për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të të zhdukurve, shumica prej të cilëve janë civilë dhe fëmijë. “Serbia po tregohet e painteresuar për një dialog të sinqertë. Ajo kërkon vetëm përfitime, pa përballur të kaluarën,” tha Osmani.
Presidentja vuri në pah nevojën për një përfshirje më të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara në procesin e dialogut, duke theksuar se prania dhe roli i tyre e bëjnë marrëveshjen më të besueshme dhe më të realizueshme. Sipas saj, përkushtimi amerikan ka qenë gjithmonë një faktor kyç për lëvizjet pozitive në këtë drejtim.
(BalkanWeb)
