Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka nisur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 11 majit me një tur intensive nga Shkodra në Sarandë, duke ndalur në disa qytete për të takuar qytetarët dhe sipërmarrësit.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Shehaj tha se pritja nga qytetarët ka qenë shumë pozitive dhe përshkroi një atmosferë inkurajuese nga të gjithë ata që punojnë ndershmërisht:

“Ishte një tur shumë intensiv dhe pritja në të gjithë qytetet ishte shumë e mirë. Kemi folur me qytetarë, sipërmarrës, me të gjithë ata që punojnë ndershmërisht e që, në vend që të kenë ndihmën e shtetit, e ndjejnë shtetin kundër.”

Shehaj u ndal tek kontakti direkt me qytetarin, që sipas tij mbetet themel i fushatës së Partisë Mundësia:

“Mundohemi të shkojmë tek qytetari përmes mediave, rrjeteve sociale, por edhe përmes mesazheve telefonike. Feedback-u është shumë pozitiv. Ajo që po përpiqemi të bëjmë është të takojmë Shqipërinë tjetër – atë të njerëzve që punojnë, që nuk duan të largohen, edhe pse jashtë do të bënin më shumë para.”

Kreu i Partisë Mundësia shprehu vlerësimin për qytetarët që i kujtojnë betejat e tij në Kuvend, ndonëse disa ai vetë i kishte lënë pas:

“Qytetarët më thonë që jam ndryshe sepse jam si ata. Më kujtojnë betejat që kam bërë në Parlament, madje edhe skandale që unë i kam harruar.”

Megjithatë, ai pranoi se besimi është një sfidë më vete, duke theksuar zhgënjimin e madh që shumë qytetarë kanë nga politika:

“Nuk është e lehtë që qytetarët të besojnë. E kuptoj edhe nga shumë dashamirës që kanë një farë meraku: ‘Mos ndoshta edhe ti do të zhgënjesh si të tjerët.’”

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb