Lideri i opozitës, Sali Berisha, në takimin me shqiptarët në Breshia të Italisë, iu përgjigj dhe akuzave të kryeministrit Edi Rama se Chris LaCivita ka ardhur si i punësuar nga PD.

Berisha iu tha emigrantëve shqiptarë se LaCivita nuk erdhi as për para, as për influenca sepse opozita të tjera më të mëdha se e jona, më të fuqishme i kishin bërë dhjetëra e dhjetëra oferta. Por sipas tij, ai e ndjeu se Sali Berisha dhe Partia Demokratike duhet të riktheheshin në pushtet.

Sali Berisha: Miq, ju informova për këto, për të ju thënë se jo vetëm SHBA-të ndryshuan pas fitores së presidentit Donald Trump, që i preu kokën gjarprit Soros, por sot Europa i ka sytë të tëra tek 11 maji, tek vota juaj, tek fitorja juaj, fitorja e Shqipërisë.

Miq!

Lajmi tjetër ishte çelja e fushatës elektorale të këtyre zgjedhjeve. Në fakt ajo çelje fantastike, ajo çelje madhështore e paparë në 32 vite i ka rrënjët në zemrat dhe mendjet tuaja. Ishit ju që shpërthyet në entuziazmin më të papërmbajtur në takimet që pata në këtë vend me ju.

Ishit ju që u bëtë frymëzuesit, që u dhatë zemër, shpirt dhe optimizëm mbarë shqiptarëve të cilët tejmbushën sheshin ‘Nënë Tereza’ atë natë me një entuziazëm të paparë kurrë.

Kush mendonte 3 muaj më parë se kjo do të ishte sot Partia Demokratike, partia e idealeve tuaja.

Por miq, kush imagjinonte, cili imagjinonte në Shqipëri apo jashtë saj se, në këtë fushatë shqiptarët do ti përshëndeste njeriu i cili kishte qenë bashkëarkitekti i rikthimit më të fuqishëm në historinë e njerëzimit, presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Chris LaCivita.

Me ardhjen e tij në Shkurt, të nesërmen Edi Rama i ra tavolinës me grushte, vetëm sa nuk i ra me kokë.

Tani e sheh veten të humbur dhe përpiqet ti japë zemër me gënjeshtrat që beson.

Miq, miku ynë Chris LaCivita nuk erdhi as për para, as për influenca sepse opozita të tjera më të mëdha se e jona, më të fuqishme i kishin bërë dhjetëra e dhjetëra oferta.

Por arkitekti i rikthimit, ai e ndjeu se Sali Berisha dhe Partia Demokratike duhet të riktheheshin në pushtet.

Ndaj dhe ne kemi mirënjohje të pakufishme.

(BalkanWeb)

 

 

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb