Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Komisariatin e Hanias, Greqi, ku një shtetas shqiptar, 33 vjeç, është gjetur pa shenja jete në ambientet e paraburgimit.
Sipas njoftimit zyrtar nga autoritetet greke, i burgosuri u gjet pa ndjenja nga stafi i komisariatit, ndërsa menjëherë iu dha ndihma e parë nga një punonjës policie.
Paralelisht, u njoftua dhe shërbimi i urgjencës EKAB, i cili mbërriti në vendngjarje, por përpjekjet për reanimim rezultuan të pasuksesshme dhe mjekët konstatuan vdekjen e tij.
Mediat greke raportojnë se bëhet fjalë për një shtetas shqiptar, i cili ishte arrestuar më 15 prill për shkelje të ligjit për lëndët narkotike.
Pas ndalimit, ndaj tij ishte marrë masa e dëbimit administrativ dhe po qëndronte në paraburgim në pritje të procedurave përkatëse.
Shkaku i vdekjes ende nuk është bërë publik, ndërsa pritet të kryhet autopsia për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e sakta të ndarjes nga jeta.
Autoritetet greke kanë nisur një hetim të brendshëm për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
(BalkanWeb)
