Gazetari Klajdi Bodlli, i ftuar në emisionin “Open” në News24, ka komentuar vrasjen mafioze të Gjovalin Prendit në Pllanë të Lezhës, duke hedhur dritë mbi një tjetër pistë hetimi që mund të përfshijë rrjetin kriminal të njohur si i lidhur me Ervis Martinajn.
Sipas Bodllit, Prendi ka qenë një kundërshtar i Martinajt — i njohur si “mbreti i lojërave të fatit” dhe që rezulton i zhdukur prej kohësh — por mbetet për t’u vërtetuar nëse ndonjë pjesëtar aktiv i organizatës së tij mund të jetë përfshirë në këtë atentat.
“Bëhet fjalë për individë që kanë pasur shumë konflikte dhe përplasje mes tyre. Përmes përgjimeve të publikuara në platformat e komunikimit të grupeve kriminale si SKY, është vënë re se shumë nga këta persona, që mendohej se ishin në konflikt, në fakt bashkëpunonin ngushtë”, tha Bodlli.
Ai shtoi se kjo ndërlikueshmëri e marrëdhënieve mes grupeve kriminale vështirëson hetimin dhe krijon një terren të mjegullt për të identifikuar saktë autorët dhe porositësit e vrasjeve të tilla mafioze.
