Detaje të reja kanë dalë në dritë, lidhur me vrasjen e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj në Vlorë.
Gazetari Enrik Mehmeti raporton se një prej kamerave të sigurisë pranë rrugës, ku u ekzekutua 58-vjeçari ka arritur të filmojë autorin, i cili për t’u kamufluar mbante një kapelë dhe fytyrën e kishte të mbuluar me shall. Nga kamera shihet se autori ka ardhur nga kodra pas banesës së 58-vjeçarit dhe pas vrasjes ka ndjekur po të njëjtën rrugë, e cila kalon pranë kodrës së Kuzum Babasë.
Sipas informacioneve nga policia, në vendngjarje janë gjetur 4 gëzhoja pistolete 9 mm, ndërsa viktima ka marrë dy plumba në kokë dhe dy në trup.
Për gjurmimin dhe identifikimin e autorit të vrasjes së 58-vjeçarit Renato Hoxhaj policia ka sekuestruar edhe kamera të tjera sigurie në zonë, ndërsa deri tani janë shoqëruar në komisariat 5 persona, por nga dëshmitë e para të dhëna prej tyre nuk është ka dalë asnjë detaj që mund të ndihmojë hetimet.
Bashkëjetuesja e viktimës ka deklaruar para hetuesve se nuk ka dijeni që 58-vjeçari të ketë pasur konflikte, ndërsa ka pohuar se ka dëgjuar të shtënat me armë, por ka menduar se ishin fishekzjarrë.
