Nga Roskoveci, në takimin me gratë e vajzat socialiste, kryetari i PS, Edi Rama teksa u ka kërkuar votën, ka ironizuar veten për daljet e shpeshta gjatë fushatës elektorale, duke u shprehur se rrezik deri më 11 maj, do t’u dalë qytetarëve dhe në frigorifer.
“Merreni në dorë fatin evropian të Shqipërisë, duke marrë në dorë fatin evropian të Shqipërisë të marrin për dore të gjithë burrat dhe djemtë dhe një shumicë më e madhe se asnjëherë tjetër të vendosur që Shqipëria 2030 të jetë anëtare e BE dhe të gjithë fëmijët tuaj të marrin pasaportën evropiane”, tha Rama.
Rama tha se kishte diçka edhe për kryetaren e bashkisë Majlinda Bufi, të cilën e quajti “Shtrigë që i duhej qytetit”.
“Forca përpara, edhe njëherë shumë respekt dhe komplimente për kryetaren e bashkisë tuaj, një shtrigë që i është dashur kaq shumë këtij qyteti, saqë mjafton të shohësh rreth e rrotull dhe e kupton që vetëm një shtrigë mund ta bënte këtë qytet. Nuk rrija dot pa e thënë edhe këtë”, mbylli fjalimin e tij Rama.
(BalkanWeb)
