Emisioni Tak Fak ka shkuar nga Tirana në Fshat Laç të rrethit të Kurbinit, për t’u njohur nga afër me shqetësimin e shtetasit Tom Prendi.
Ai tha se Fran Laskaj ka ndërtuar kasolle me derra mes shtëpisë të tij dhe të vëllait të tij. Laskaj përgjigjet për emisionin, por përgjigja e tij duket paksa “nevrike”.
Gazetarja Klaudia: Përshëndetje z. Tom. Cili është shqetësimi juaj?
Tom Prendi: Para 10 viteve, një person nga Laçi, që quhet Fran Laska, solli 40 koshere bletësh, për t’i vendosur diku në parcelë dhe s’kishte ku t’i kalonte e për ta ndihmuar, i jap çelësat e portës, ai hap dhe portën dhe i vendos përpara shtëpisë sime. Por, me kusht që ai të ndërtonte rrugën e vet, urën e vet dhe pas 1-2 vitesh të kalonte në punën e tij. Por ai tani i ka sjellë bletët shumë afër shtëpisë, dhe më e keqja është se më vonë vjen e ndërton edhe një kasolle bagëtish, mes dy shtëpish, se jemi dy vëllezër që jetojmë këtu e na ka krijuar shqetësime.
Gazetarja: Këtë kasolle e ka ndërtuar në tokën tuaj?
Tom Prendi: Këtë kasolle e ka ndërtuar në një truall, që taksat e truallit ia paguaj unë një më një.
Mark Prendi: Kasollja ka disa muaj që është ndërtuar këtu dhe siç e shihni dhe vetë ka derra brenda. Unë jetoj përditë këtu me gjithë familjen. Këta bëjnë shumë zhurmë, kanë një aromë shumë të keqe. Na e kanë bërë jetën skëterrë. Unë do detyrohem të mbyll dritaret, të mbyll dhe derën, por nuk di se nga të dal. Nuk mund të jetoj më këtu. Edhe bletët na kanë pickuar. Besojmë se “Tak Fak” do ta zgjidhë këtë problem.
Menjëherë pas problemit, gazetarja bisedoi në celular me z. Fran Laskaj.
Gazetarja: Si jeni?
Fran Laskaj: Mirë, si jeni ju?
Gazetarja: Ka ardhur një shqetësim që ju keni ndërtuar kasolle derrash në Fshat Laç midis dy vëllezërve Prendi.
Fran Laskaj: Nuk jam sot këtu, jam larg. Kam problemet e mia. Jam në Kukës. Kam të gjitha dokumentet e mia. Është pronësia ime. Kur të më mbushet mendja mu’ do bëj çfarë të dua në tokën time. Dëgjove.
Gazetarja: Ka një ligj, për distancat që mbahen për ndërtimet midis shtëpive, mes objekteve dhe fqinjëve.
Fran Laskaj: Shko te policia, se i ka dokumentet policia.
Gazetarja: Mor zotëri
Fran Laskaj: Nuk po merrem me ty, ik tani në punën tënde.
Gazetarja: Kjo është puna t’ju ballafaqoj të dyja palët.
Fran Laskaj: Ç’punë ke të më ballafaqosh mua? Ik të thashë.
Gazetarja: Unë jam gazetare.
Fran Laskaj: O zonjë, ik të thashë njëherë. Kam problemet e mia. Ai më ka bërë padi në polici, të shkojë në polici.
Gazetarja: Çfarë dokumentesh ke që të më bindësh që nuk i ke rënë në qafë këtij zotërisë?
Fran Laskaj: Po më shqetëson. Unë po them që në momentin që kam qenë në polici, ik vre punën tate. Mbylle telefonin. Do ta zgjidhim tash e mbrapa. Jo të marrë policinë, por të marrë dhe Zotin. Do ta zgjidh unë. Mirupafshim.
(BalkanWeb)
