Sezoni i Superiores tashmë ka hyrë në pikën e tij më kulminante dhe ku janë ende katër skuadra në garë për triumfin final të titullit kampion. Patjetër kjo nxit të gjitha skuadrat të jenë sa më të përqendruara dhe të gatshme për të dhënë gjithçka në dy ndeshjet që mund të zhvillojnë në “Final 4”.
Përjashtim nuk bën as Vllaznia që duket se i ka marrë shumë seriozisht këto përgatitje, në mënyrë që të jenë në 100% të tyre në ndeshjet që do të zhvillohen në “Arena Kombëtare”. Kështu, sipas asaj që mëson gazeta, shkodranët do të bëjnë një grumbullim më të gjatë se zakonisht për ndeshjet e finale të edicionit.
Ekipi i drejtuar nga Thomas Brdariç pritet të qëndrojë në një grumbullim 3-ditor para ndeshjes së parë gjysmëfinale, në mënyrë që grupi dhe skuadra të jetë sa më e bashkuar para zhvillimit të këtyre takimeve shumë të rëndësishme e po ashtu për të mos u shpërqendruar nga asgjë, në një moment ku pritet hapi final drejt suksesit, që mungon prej vitesh në Shkodër.
