Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, lëshoi akuza të rënda ndaj grupeve kriminale që, sipas tij, po ushtrojnë presion dhe dhunë për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, duke paralajmëruar se do t’i shpallë organizata terroriste.

Berisha përmendi me emër disa nga bandat që, sipas tij, janë të përfshira në manipulimin e zgjedhjeve në qytete të ndryshme të vendit.

“Ta dinë mirë të gjithë bandat, në Elbasan, Durrës dhe Shkodër – Bajrat, Poja dhe Suel Çela me bandën e tij në Elbasan. Edhe këta të Ervin Hoxhës në Vorë. Në 12 maj do shpallen organizata terroriste. Do të punoj fort me ndërkombëtarët që t’i shpallin edhe ata si të tilla, sepse terrorizojnë një popull për të mos e lënë të votojë i lirë,” – deklaroi Berisha.

Ai akuzoi qeverinë për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me këto grupe dhe theksoi se këto veprime përbëjnë terror elektoral.

Në deklaratën e tij, Berisha solli si shembull një incident të fundit në Elbasan, ku sipas tij, shoferi i Taulant Ballës është dhunuar nga Suel Çela, sepse nuk kishte mbështetur një kandidate të PS-së.

“Katër ditë më parë, Suel Çela i theu kockat shoferit të Taulant Ballës sepse nuk mbështeste një famoze, një kandidate të PS-së, Sara Mile, që sipas Ramës duhet të jetë patjetër në Parlament – një Jurgis Çyrbe me fustan,” – u shpreh kreu i PD-së.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb