Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Trigger”, duke arrestuar në flagrancë një 37-vjeçar që lëvizte i armatosur në zonën e Astirit.
Sipas njoftimit zyrtar të DVP Tiranë, shtetasi David Simoni, banues në Lezhë dhe i dënuar më parë për vjedhje, u kap teksa po lëvizte në këmbë me një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, të fshehur në çantën e tij.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore mbi lëvizjet e dyshimta të Simonit në zonë.
Arma u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa ndaj të arrestuarit rëndon akuza “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Trigger”.
I armatosur me pistoletë, me fishek në fole, kapet në flagrancë në Astir dhe vihet në pranga 37-vjeçari.
Sekuestrohet pistoleta.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës policore, për një shtetas që lëvizte i armatosur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Trigger“.
Gjatë operacionit, në Astir, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin David Simoni duke lëvizur me këmbë, me 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, të cilën e mbante në çantë.
Në vijim të veprimeve u sekuestrua pistoleta dhe u arrestua shtetasi David Simoni, 37 vjeç, banues në Lezhë, i dënuar më parë për vjedhje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
