Për herë të parë, Policia Bashkiake e Tiranës do të drejtohet nga një grua. Elona Lalaj do të jetë drejtuesja e re e Policisë Bashkiake të Tiranës. Ajo zëvendëson në këtë detyrë kryetarin e komanduar Toni Beni dhe është prezantuar zyrtarisht sot me stafin nga kryetarja Anuela Ristani.
“Sot, në ambientet e Policisë Bashkiake të Tiranës, Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Tiranës, znj. Anuela Ristani, pati nderin të prezantojë Drejtoreshën e re të Përgjithshme të Policisë Bashkiake, znj. Elona Lalaj.
I urojmë suksese në këtë përgjegjësi të re dhe presim përmirësime të mëtejshme në shërbimet dhe dinamikën e punës së Policisë Bashkiake në shërbim të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Policisë Bashkiake Tiranës.

Elona Lalaj merr këtë detyrë pas një karriere të suksesshme në radhët e Policisë së Shtetit dhe sjell me vete një eksperiencë të madhe dhe një angazhim të jashtëzakonshëm për forcimin e rendit dhe sigurisë në kryeqytet, por mbi të gjitha ofrimin e një shërbimi sa më cilësor për qytetarët.
Ka përfunduar Akademinë e Policisë në vitin 2003, ku është titulluar oficere e lartë e Policisë Shtetit Shqiptar. Gjatë karrierës 21-vjeçare deri aktualisht, ka kryer detyra te ndryshme në struktura qendrove dhe vendore policore, në profilin e hetimit të krimit. Detyrat dhe fuksionet gjatë kesaj periudhe 21-vjeçare përfshijnë hetimin e krimeve në nivel territorial, juridiksional dhe nivel menaxherial, konkretisht në fushën e trafiqeve të paligjshme, në sektorin e Kundër Dhunës në familje, Shefe e zyrës së metotave proactive, Shef Sektori Asistent në Drejtorinë Vendore Policisë Tiranë, Specialiste / koordinatore pranë Drejtorisë Interpol Tiranë, me Sekretariatin e Përgjithshëm të INTERPOL Lyon, Francë.
Shefe seksioni Ceremoniali në Policinë e Shtetit. Shef Sektori Kufirit dhe migracionit, pranë Drejtorisë Vendore për Kufirin Tiranë.
Arsimi dhe trajnimet – Akedemia e Lartë e Policisë Arben Zylyftari.
– Trajnime të shumfishta brenda dhe jashtë vendit me partnere ligjzbatues të BE dhe jo vetëm
– Bachelor në administrim biznesi në Universitetin Ismail Qemali, Vlorë.
(BalkanWeb)
