Drejtuesi politik i PD për Qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj, në fjalimin e tij në Kurbin, ku i pranishëm ishte edhe Sali Berisha, u shpreh se Doktori rrëzoi një regjim në 92’, do të rrëzojë edhe këtë.

Pjesë nga fjala e Gjekmarkajt:

“Doktor, mirëserdhe në Kurbin, duke sjellë shpresën për ndryshim. Do t’i japim fund lëngatës, për t’i dhënë fund grabitjes. Këtij populli i prin Sali Berisha, ashtu si në vitin 1992, kur rrëzoi diktaturën, do të rrëzojë edhe këtë regjim.

Shqiptarët do të lindin dhe do të rriten në Shqipëri, nuk jemi popull argatësh, por bij shqiponjash. Shqipëria është rebeluar ndaj mjerimit, mjafton të shohësh se sa shumë jeni këtu.

Për të përzënë me votën tuaj një pushtet që grabiti sa mundi, gënjeu sa mundi, u tall sa mundi, por nuk i theu dot kurbinasit dhe shqiptarët. Në vend që të na mashtronte ne dhe ju turpëroi veten. Në vend që të na thyente ne dhe ju, ka filluar të rrezohet dhe të bjerë përfundimisht më 11 maj, do ta zërë nën vete pesha e gënjeshtrave, vjedhjeve dhe arrogancës, padrejtësisë që i shkaktoi  një populli që po ngrihet. Sipër nesh është kisha e Shna Ndoit dhe kryqi i saj. Doktor pesha e kryqit po bie mbi ju për të rrëzuar narkoditaturën. Mbajeni mbi supe kryqin dhe na prini, siç po na prini drejt fitores historike, drejt misionit kombëtar të shpëtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve

Shqipëria nuk do të mbetet djerrë. Ne jemi PD dhe kemi një trashëgimi, kemi Sali Berishën, që sot më shumë se kurrë i duhet Shqipërisë.”

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb