Të hënën Partizani dhe Egnatia zbresin në “Arenën e Demave” për të luajtur gjysmëfinalen e titullit kampion. Në fushë protagonistë janë lojtarët, por jashtë saj ka edhe një duel të fortë të trajnerëve. Skënder Gega mori Partizanin para disa javësh, ndërsa Edlir Tetova drejton Egnatian prej gati dy vitesh e gjysmë.
PËRPLASJE STILESH – Mënyra e të punuarit të të dy trajnerëve është e kundërt me njëra-tjetrën. Gega është stil pragmatist, që në objektiv ka vetëm fitoren dhe kërkon ta marrë në çfarëdolloj mënyre, qoftë edhe me një gjysmë goli a me një penallti. Fitoren me të zakonshme ka atë 1-0. Pra i mjafton një gol dhe punon fort për të mbajtur zero numrin e golave të pësuar. Me këtë mënyrë, tropojani i dha titullin Partizanit në sezonin 2018- 2019 dhe do të tentojë ta bëjë edhe këtë herë. Në fakt, me skuadrën që ka në dispozicion vështirë se do të mund të luante me ndonjë stil tjetër loje. Tropojani është një nga trajnerët që shquhet për leximin e kundërshtarit në analizë.
TETOVA – Nga ana tjetër, Edlir Tetova është brezi i ri trajnerëve, që po ngjisin shkallët në Superiore. Durrsaku është padyshim një nga të spikaturit. Këtë e thonë dy Kupat, një titull dhe një Superkupë e fituar me Egnatian që nga 2023-shi. Ndryshe nga Gega, ai është një trajner që kërkon ta dominojë kundërshtarin dhe ta mposhtë sa më thellë dhe me lojë sa më të bukur. Jo më kot, Egnatia është skuadra që e mban topin më shumë se çdo ekip tjetër në Superiore dhe jo më kot u rendit e para. Nëse do të bënim një paralelizëm me futbollin botëror, Gega i ngjan stilit të Ançelotit, ndërsa Tetova të Guardiolës apo Klopit, tre trajnerë që tashmë kanë frymëzuar gjithë botën, përfshirë edhe shkollën tonë të trajningut.
PËRBALLJET – Kjo e së hënës do të jetë përballja e katërt mes Gegës dhe Tetovës. Në tri të shkuarat, dy ka arritur t’i fitojë Gega dhe një Tetova. Fakti është se të dy dinë ta mposhtin njëri-tjetrin.
