Bayern i Mynihut është zyrtarisht kampion i Gjermanisë për sezonin 2024-2025. Ky është trofeu numër 34 në historinë e klubit legjendar bavarez, por që erdhi në një mënyrë krejt origjinale, nga divani i shtëpisë. Kjo sepse në ndeshjet e kësaj fundjave, ekipi i Kompany të shtunën nuk arriti dot ta siguronte matematikisht titullin pas sfidës me Leipzig që përfundoi me shifrat 3-3, me bavarezët që kthyen rezultatin nga 2-0 në 2-3, por u ndëshkuan në kohën shtesë. Megjithatë për të zyrtarizuar titullin tek Bayern, menduan ish kampionët e Leverkusen, me “aspirinat” që nuk shkuan më shumë se sa barazimi 2-2 në shtëpinë e Freiburg, duke mbetur kështu 8 pikë prapa, dy javë nga fundi i sezonit.

Bayern dominuan kampionatin, duke udhëhequr tabelën që nga java e 24-të. Ky triumf i ka siguruar bavarezëve kthimin në majën e futbollit gjerman pas një sezoni të vështirë si ai i vitit të kaluar, kur përfunduan të tretët.

Sezoni nisi me një ndryshim të madh: trajneri i ri, Vincent Kompany, mori drejtimin e skuadrës në verën e vitit 2024. Kompany, ish-kapiten i Manchester City, solli një frymë të re dhe një stil loje më të organizuar. Përforcimet si Harry Kane, Michael Olise dhe Joao Palhinha kontribuan ndjeshëm në forcimin e skuadrës. Kane, në veçanti, shënoi 24 gola gjatë sezonit, duke u bërë golashënuesi më i mirë i Bundesligës dhe duke prishur edhe “mallikimin” e duke fituar më në fund trofeun e parë të kampionit, pavarësisht kontrtibutit të tij të jashtëzakonshëm gjatë karrierës së tij

Pas shpalljes kampion, lojtarët e Bayern festuan titullin në ambjentet e një restoranti në Mynih. Harry Kane, i cili kishte munguar në ndeshjen ndaj RB Leipzig për shkak të pezullimit, u bashkua me shokët e tij të skuadrës për të kënduar “We Are the Champions” dhe për të shprehur gëzimin e tij pas 15 vjetësh pa tituj të mëdhenj.

Ky ishte edhe trofeu i fundit me fanelën e bavarezëve edhe për një legjendë si Thomas Muller, i cili pas 17 sezoneve me radhë në të cilat ka mbajtur veshur fanelën e Bayern, do t’i japë lamturmirën këtë sezon ekipit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: