Kemi që nga gushti i vitit të kaluar që flasim vetëm për këtë ndeshje. E tillë është kjo formulë, që me 90 minuta nderohesh ose “turpërohesh”. Sot, ora 20:00 në “Arenën Kombëtare”, vendoset finalisti i dytë i fazës “Final 4” të Kategorisë Superiore. Partizani dhe Egnatia luajnë betejën e shtatë të tyre në këtë sezon, të fundit dhe më të rëndësishmen.
KAPITULL I RI – Por ajo faqe e historisë është mbyllur tashmë, për t’i hapur rrugën një tjetër përplasjeje, një tjetër ndeshjeje nga ato që mbahen mend gjatë dhe kur e kujton me shokët, krenohesh duke thënë: “E mbaj mend se kam qenë në stadium”. Janë vetëm 90 minuta që vendosin atë që ke bërë në 36 ndeshje. E çuditshme, por realitet. Partizanin, i renditur i katërti, rregullorja e dikton që të fitojë me patjetër, teksa Egnatia do të kalonte në finale edhe me barazim, si e renditura më lart (e para) në këtë çift gjysmëfinal.
FANELLË E RËNDË – Për Partizanin kjo sfidë përmban dëshirën për titullin, por edhe për hakmarrje për dhimbjen e madhe të shkaktuar vjet në atë finale titulli, e para në histori me këtë formulë. Të kuqtë shkojnë në këtë betejë si një nga klubet me më shumë trofe dhe një nga fanellat më të rënda të këtyre finaleve. Këtë privilegj do të provojnë ta shfrytëzojnë sonte përballë një kundërshtari, që në këtë aspekt është shumë më mbrapa. Egnatia vjen më “novatore”.
KONFIRMIM – Egnatia vjen në këtë ndeshje pas humbjes së finales së Kupës kundër Dinamos dhe në kushtet kur ka mbetur vetëm titulli, rrogozhinasit kërkojnë të konfirmohen si skuadra më e fortë, me synimin e madh për t’u shpallur kampion. Presidenca rrogozhinase nuk e ka fshehur në asnjë moment dëshirën për të shkuar në grupe të Ligës së Konferencës dhe kjo rrugë kalon nga titulli. Përveç aspektit sportiv, Egnatia kërkon të mos dështojë edhe në atë ekonomik, pasi është një nga klubet më të investuara në Superiore.
“LUFTË” NË MBROJTJE – Partizani dhe Egnatia janë dy skuadra që luajnë krejt ndryshe nga njëra-tjetra, ndikuar nga përbërja e tyre dhe nga filozofia e trajnerëve, por e kanë një të përbashkët. Janë dy skuadrat që kanë pësuar më pak gola pas 36 javësh. Egnatia është mbrojtja më e mirë me 30 gola të pësuar dhe e ndjek Partizani me tre më shumë (33). E sotmja do të jetë një luftë e fortë “difensive”. Nëse do të përmendnim dy emra të spikatur, do të thoshim se është një duel në distancë e Prekës dhe Xhemajlit, dy lojtarë që udhëheqin ekipet e tyre në mbrojtje dhe jo vetëm.
SULMI – Partizani është më dobët, por mund të themi se të dyja skuadrat nuk shkëlqejnë për golat e shënuar. Rrogozhinasit janë sulmi i tretë më i mirë (47), por ajo që mund të themi është se kanë qenë mesfushorët ata që e kanë nxjerrë ekipin nga vështirësitë, në një kohë kur sulmuesit nuk kanë shkëlqyer mjaftueshëm. Mjafton të themi se goleadori i ekipit është Lushkja me 14 gola. Nga ana tjetër, Partizani ka shënuar gjithsej vetëm 38 gola, teksa golashënuesi më i mirë është Bintsuka me 6 gola. Në javët e fundit kemi parë një lloj zgjimi edhe të Eleke, i ardhur në janar.
