Drejtuesi politik i PD-së në Qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj, ka lëshuar një deklaratë, teksa paralajmëron se do të mbrohet çdo votë.

Gjekmarkaj thotë se ka marrë denoncime nga qytetarë të ndryshëm për kërcënime, por siguron se asnjë nuk mund ta pengojë sovranin dhe vota e tij nuk do të tjetërsohet.

Deklarata e Agron Gjekmarkajt:

Asnjë votë e sovranit nuk do të tjetërsohet në Lezhë!

Kam marrë denoncime të ndryshme nga qytetarë të frikësuar nga sjelljet kërcënuese dhe mashtruese të drejtuesve në ikje të Rilindjes, të cilët po përpiqen me çdo mënyrë të përdorin skenarë te zinj per zgjedhjet. Ata që mendojnë se manipulimi i votës mund t’u sigurojë pushtet, le ta harrojnë sot e përgjithmonë se në Lezhë, nuk do t’ia dalin dot më.

Mjaft më me mashtrimet dhe shantazhet që synojnë të trembin sovranin. Ne do të jemi në çdo qendër votimi, në çdo rrugë dhe lagje të Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit, pranë çdo votuesi. Do të ndjekim hapat e dokumentimit dhe të përgjegjësisë ligjore për këdo që mendon se është i “fortë” duke shantazhuar lezhjanët.

As unë, as demokratët, as qytetarët nuk tremben nga paçavura politike të Rilindjes që tentojnë te trembin qytetaret. Nuk e mbuloni dot diellin me shoshë. Policia dhe SPAK, të bëjnë detyrën, të ndalin këdo që po tenton të tjetërsojë votën e lirë.

Është më e thjeshtë të krijosh gënjeshtra sesa të ndërtosh shpresë reale për njerëzit. Por ne nuk biem pre e panikut tuaj, vendosmëria jonë është më e fortë se çdo kërcënim.

Lezhjanët meritojnë zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente. Me të gjitha mjetet demokratike në dorë, me çdo formë juridike e qytetare, ne do të garantojmë respektimin e vullnetit të tyre. E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të tjetërsohet; ajo formësohet nga zëri i lirë i qytetarit.

Dita e 11 majit do të jetë dëshmi e fuqisë së popullit kundër çdo manipulimi. Ndryshimi që presin Lezha dhe e gjithë Shqipëria po vjen!

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb