Tekniku i Egnatias, Edlir Tetova tregoi këndvështrimin e tij për barazimin pa gola ndaj Partizanit, rezultat ky që dërgoi në finalen e final four rrogozhinasit.
“Normal që jam i kënaqur pas këtij kampionati të gjatë, mendoj që e merituam. Kam pak rezerva përsa i përket lojës, mendoj që me rastin e Lushkjes në fillim duhet të kishte pasuar dhe të shënonim, por i ka futbolli këto. Duke e ditur që Partizani ka lojtarë të gjatë, e kishim krijuar te Buxhelaj manovrën tonë.
Manovra jonë nuk funksionoi për këtë minutazh, Ujka nuk ishte shumë në qendër. Mendoj që më është dashur Guindo për këto dy ndeshje, por për finale do të shikoj dhe do të analizoj. Është një ndeshje finale, nuk shihet kundërshtari në këto pozita. Mendoj që do jetë një ndeshje shumë e bukur dhe të fitojë më i miri”, u shpreh Tetova.
