Sezoni që sapo lamë pas, nuk ishte aty ku duhet për Kukësin, një skuadër që vetëm me një ndeshje shtesë ia doli që të siguronte qëndrimin në Kategorinë e Parë. Megjithatë, duke parë sesi nisën gjërat për këtë klub, mbijetesa mbeti objektivi i vetëm dhe përpos të gjithave në fund ia dolën.

 

Mirëpo, në Kukës nuk janë mësuar që të luajnë në të tilla nivele dhe tani i gjithë opinioni sportdashës shpreson te ndërtimi i një skuadre që të jetë rivalizuese në Kategorinë e Parë dhe të synojë ngjitjen në elitë. Nëse vitin e kaluar kishin probleme në drejtim, ku vetëm javën e fundit e morën në dorë drejtuesit aktualë, tani kuksianët kanë më shumë kohë që të përgatiten për sezonin e ardhshëm. Dhe duket se kështu po ndodh, pasi kanë nisur që të bëhen piketimet e para, por konkretizimi i tyre do kohë të ndodhë, për vetë faktin se praktikisht kampionati duhet të nisë pas katër muajsh.

Megjithatë, gjëja e parë që mbetet për t’u zgjidhur nga ana e drejtuesve është pikërisht zhbllokimi i merkatos nga FIFA, për shkak të problemeve me pagesat për lojtarë të ndryshëm që kanë fituar gjyqet. Gjithsesi, tani mbetet për t’u parë se si do të jetë Kukësi i sezonit të ri, me dëshirën që nuk mungon, por e gjitha varet nga financat që do të vihen në dispozicion.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb