Kryeministri Edi Rama ka vijuar sot rubrikën e tij “Sy m’sy”, që është e fundit para zgjedhjeve, për të diskutuar me komentuesit në një tjetër komunikim të drejtpërdrejtë.

Rama ka ndarë mendimin e tij lidhur me emigrimin dhe ardhmërinë e Shqipërisë, duke theksuar se pasaporta shqiptare është një mundësi për të qëndruar dhe kontribuar brenda vendit, jo për të ikur.

Ai është shprehur se “pasaporta nuk është për të ikur, por për t’u ngulur këtu, në vendin që na ka caktuar Zoti, në mes të Evropës, një nga popujt më të vjetër.” Kryeministri ka kritikuar ashpër ata që dyshojnë për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se kjo nuk është një çështje opinioni, por një angazhim që ka gjetur mbështetje edhe nga institucionet evropiane.

Ai ka theksuar se argumentet për arritjen e qëllimit për anëtarësim në BE janë të mbështetura nga fakte dhe se shumë nga ata që kundërshtojnë këtë proces duhet të përpiqen të kuptojnë realitetin dhe të merren me argumente të qëndrueshme.

“Po mirë mo, se ti ke bindjen tënde, por kjo nuk është çështje opinioni. Do të luftosh me faktet, por nuk bëhet”, u shpreh ai, duke u përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj kritikave të komentuesve.

Rama ka shtuar gjithashtu se është më shqetësuese të “vish keq për ata që besojnë,” duke iu referuar atyre që mbështesin procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, dhe i ka quajtur këta njerëz të qesharakë nëse e kundërshtojnë këtë rrugëtim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb