Presidentja e Universitetit “Luarasi”, Fabiola Hysenbelliu u shpreh gjatë fjalës së saj në punimet e Konferencës Ndërkombëtare “Drejtësia, Siguria dhe të Drejtat e Njeriut” se Universiteti Luarasi do të vazhdojë t’i japë prioritet nismave që kanë në fokus kërkimin shkencor.
Ajo theksoi rëndësinë e kësaj konference si një shembull i përkushtimit të institucionit ndaj dijes dhe kërkimit shkencor, duke shtuar se “kërkimi shkencor mbetet shtylla kryesore e funksionimit të universiteteve”.
“Në cilësinë e Presidentes së Universitetit “Luarasi” kam mbështetur dhe do të mbështes çdo lloj nisme që synon kërkimin shkencor në fakultetet e Universitetit Luarasi për vlerat dhe rëndësinë që mbart. Kjo pasi ajo i shërben thellimit të dijeve për stafin akademik apo edhe për kërkuesit e rinj shkencor. Për pasojë do të kemi realisht një përmirësim të nivelit shkencor të këtij stafi dhe një zhvillim të një prej shtyllave kryesore të funksionimit të vetë Universitetit e cila ka të bëjë me kërkimin shkencor”, u shpreh Hysenbelliu.
Fjala e plotë
Të nderuar të ftuar, profesorë dhe studiues,
duke ju falenderuar për pjesëmarrjen tuaj më lejoni që të përshëndes punimet e kësaj konference ndërkombëtare me temë “Drejtësia, Siguria dhe të Drejtat e Njeriut”, të organizuar nga Fakulteti i Drejtësisë të Universitetit Luarasi i cili ka qenë edhe guri i themelimit të këtij universiteti në bashkëpunim me shumë fakultete dhe universitete shqiptare e të huaja. Kjo padyshim përbën një ngjarje të rëndësishme për vetë fakultetin në veçanti dhe Universitetin në përgjithësi.
Mbërritja deri në këtë ditë ka kërkuar padyshim një kohë relativisht të gjatë dhe impenjim serioz për të bërë bashkë të gjithë faktorët dhe aktorët, por kur ajo përmbush qëllimet rezulton e suksesshme. Jam njohur paraprakisht me temat e referimeve, referuesit si dhe me ekspertizat profesionale të tyre. Referuar këtyre elementëve konstatoj se jo vetëm pjesëmarrja dhe formati i kësaj konference por edhe cilësia e saj paraqitet e një niveli shumë të lartë duke pasuruar në këtë mënyrë vlerat studimore dhe shkencore të saj.
Në cilësinë e Presidentes së Universitetit “Luarasi” kam mbështetur dhe do të mbështes çdo lloj nisme që synon kërkimin shkencor në fakultetet e Universitetit Luarasi për vlerat dhe rëndësinë që mbart. Kjo pasi ajo i shërben thellimit të dijeve për stafin akademik apo edhe për kërkuesit e rinj shkencor. Për pasojë do të kemi realisht një përmirësim të nivelit shkencor të këtij stafi dhe një zhvillim të një prej shtyllave kryesore të funksionimit të vetë Universitetit e cila ka të bëjë me kërkimin shkencor. Më lejoni të falenderoj organizatorët dhe partnerët e kësaj konference dhe t’i uroj suksese të gjithë referuesve duke besuar në vijim të mëtejshëm të bashkëpunimit të universiteteve të këtij lloji.
(BalkanWeb)
