Deputetja e PD-së Albana Vokshi, e ftuar në studion e News 24 tha se PS nuk ka çfarë të ofrojë më, pasi ka sjellë vetëm mashtrim dhe varfëri. Vokshi theksoi se lista e PD përfaqëson oligarkët dhe interesat e tyre e jo të qytetarëve.

“Fushata ka qenë fantastike, jemi angazhuar shumë. Ne kemi raportuar në mënyrë të përditshme për shit-blerjen e votës pranë OSBE-ODIHR dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Zonja Felaj flet për probleme në PD, ndërsa duhet të thotë se përse familjarët e saj të gjithë janë të punësuar në Prokurori. Kemi denoncuar çdo shkelje zgjedhore. Edi Rama është koka e grupit kriminal, sepse ka dhënë lejen dhe ‘OK’ për inceneratorët fantazmë, Ogerta Manastirliu duhet të ishte para drejtësisë, Olta Xhaçka nuk duhet të ishte ose Belinda Balluku, që ka abuzuar me shuma marramendëse. Lista e mbyllur e PS përfaqëson oligarkët dhe interesat e tyre dhe jo të qytetarëve. Manastirliu është përgjegjëse direkte për Chek Up, për sterilizimin. Në Tiranë po hidhet asfalt elektoral dhe kjo është shkelje”, tha Vokshi.

Më tej, Vokshi u shpreh se nëse PD vjen në pushtet, SPAK do të depolitizohet. Sipas saj, PS po tenton të fusë në zgjedhje elementë kriminalë, duke thënë se PD nuk do e lejojë këtë gjë.

“Nëse PD vjen në pushtet, SPAK do depolitizohet. SPAK do jetë e papolitizuar. Kushdo që bën krim elektoral ose bën afera korruptive, duhet të japë llogari. Ne e kemi votuar reformën në drejtësi. Ne ishim dakord për ndryshime kushtetuta për të bërë reformën në drejtësi, por jemi kundër mënyrës sesi po bëhet kjo reformë, pasi Rama e la vendin pa Gjykatë Kushtetuese. 150 mijë dosje janë në pritje, drejtësia tani që ne flasim është në kolaps. Ne duam reformë në drejtësi, që të ketë drejtësi reale. Ky është regjim, nuk është qeveri kjo. Shëndetësia falas nuk është e tillë, është vuajtje falas. PS po përpiqet të krijojë klimë tensioni, por qytetarët do e ndëshkojnë këtë qeveri me votë. Rama po fut elementë kriminalë në Elbasan, Durrës, etj, po tentojnë të blejnë votat dhe po denoncojmë me emra. Rezoluta e PPE është shumë më përpara sesa SPAK”, deklaroi Vokshi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: