Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, në prag të mbylljes së fushatës deklaroi se Partia Mundësia nuk ka parti të ngjashme dhe nuk synon rrugën e lehtë dhe të shpejtë për pushtet, por ka një projekt afatgjatë dhe të ndershëm për vendin.

“Koha ka treguar që nuk jemi aq të ngjashëm sa dukemi. Ne mund të dukemi të gjithë të rinj, por jemi jashtëzakonisht ndryshe. Dhe vetëm në këto tre muaj të gjithë kanë pasur mundësinë të kuptojnë sa ndryshe jemi,” tha Shehaj.

Kreu i Partisë “Mundësia” vuri theksin te ndershmëria politike dhe refuzimi për të bërë kompromise të shpejta në këmbim të rezultatit elektoral. Ai u shpreh se qëllimi i forcës që përfaqëson nuk është të maksimizojë deputetë me çdo kusht, por të qëndrojë besnike ndaj parimeve dhe vizionit të saj.

“Nëse do të kishim synim kryesor thjesht të maksimizonim rezultatin në zgjedhjet e ardhshme, do kishim zgjedhur bashkimin. Por ky është një projekt politik afatgjatë. Ne nuk shohim thjesht zgjedhjet e ardhshme. Ne shohim përtej tyre,” tha Shehaj.

Shehaj deklaroi se Mundësia do të ketë një grup parlamentar që do të përfaqësojnë qytetarët e ndershëm të Shqipërisë.

“Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, një parti e re politike do hyjë në Parlament jo vetëm pa ndihmën e partive të mëdha, por duke i patur të gjitha partitë e tjera kundër. Pavarësisht sulmeve, sot jemi këtu dhe nesër do kemi një grup parlamentar që do përfaqësojnë qytetarët e ndershëm të këtij vendi. Nuk ka votë më me vlerë se vota për Partinë Mundësia, pasi është e vetmja votë që përfaqëson interesin e qytetarëve.

Nuk duhet t’i dëgjojmë, duhet të vazhdojmë përpara. Do të habiten zgjedhjet e ardhshme, por do habiten edhe më shumë kur ne të vazhdojmë të ngulim këmbë. Kjo është e vërteta, dhe prandaj janë të shqetësuar”, u shpreh Shehaj.

Partia Mundësia garon për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit dhe mban numrin 10.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb