Ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e ftuar në emisionin Log. në News24, të moderuar nga Endri Xhafo, sqaroi pse vendosi të dalë në mbështetje të Ilir Metës, edhe pse tashmë është ndarë me të.

Kryemadhi u shpreh se në aspektin moral dhe njerëzor kërkon votë për Ilir Metën dhe nuk i intereson aspak se çfarë thonë njerëzit.

“Mund ta kem gabim, aktet politike nuk mbarojnë. Në marrëdhënie me votën time nuk kisha ndërmend të bëja fushatë, por kur babai im doli në listë të hapur, më bëri të jap kontributin tim. Normalisht do të isha me opozitën, por në të tilla kushte vendosa kështu. Prandaj po kërkoj një votë për Ilir Metën, nuk më intereson se çfarë thonë njerëzit. Kujtimet janë më shumë të mira, kështu që në aspektin moral e njerëzor vendosa kështu, por edhe në aspektin politik.

Më parë kam bërë fushatë derë më derë. Njerëzit e kanë ndarë mendjen për të cilin votojnë, janë të qartë. Mbetet vetëm një 2%, që ndodh që edhe blihen. Tashmë po kërkoj votë për babain e fëmijëve të mirë, për ish-bashkëshortin dhe ish-presidentin e vendit tim. Kam konstatuar se votuesi është më i zhdërvjelltë dhe më i organizuar se vetë partitë. Një në 4 persona njëherë ka votuar LSI ose për Ilir Metën. Ka shumë emigrantë që kanë votuar sërish. Probabiliteti më i madh i blerjes së votës ka qenë në Greqi, sa i përket votës së Diasporës.

Fryma është shumë e mirë, punoj në Qarkun e Tiranës. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e atij presioni që vinte nga Bashkia e Tiranës, pasi janë 15 mijë punonjës, pa harruar presionin nëpërmjet lejeve” – tha ndër të tjera Kryemadhi.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb