Adriatik Lapaj është paraqitur sot në ambientet e GJKKO-së, në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Agron Shehajt, të cilin e ka paditur për deklarata shpifëse.

Kreu i partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka depozituar më herët një kallëzim penal për shpifje ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Agron Shehaj, në Prokurorinë e Posaçme. Veprimi vjen pas deklaratave publike të Shehajt, që sipas Lapajt janë të pavërteta dhe kanë cënuar rëndë integritetin e tij profesional dhe personal.

“Kam shmangur konfliktet, por kush kërkon përplasje, do të më ketë përballë,” deklaroi Lapaj para mediave, duke theksuar se as ai, as familjarët e tij nuk zotërojnë asnjë pasuri në Shqipëri dhe se akuzat për përfaqësim të kompanive të lidhura me krimin janë të pabaza.

Lapaj mohoi gjithashtu çdo lidhje me vendime gjyqësore të dhëna nga vjehrri i tij, duke ftuar gazetarët të verifikojnë nëse ekziston ndonjë rast i tillë në praktikën e tij si avokat. Ai i bëri thirrje Shehajt të paraqesë prova për pretendimet e bëra.

Nga ana tjetër, Shehaj ka akuzuar Lapajn se ka përfituar 45 milionë lekë nga “Merkaj 3 shpk”, një kompani që është sekuestruar nga SPAK për lidhje me grupin kriminal të “Çopjave”. Lapaj e mohoi kategorikisht këtë, duke deklaruar se bëhej fjalë për detyrime për shërbime ligjore dhe se nuk kishte marrë asnjë shumë në mënyrë të paligjshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb