Dy ditë përpara zgjedhjeve parlamentare fushata elektorale në Korçë po shoqërohet me tensione të shumta dhe akuza nga opozita se Partia Socialiste po blen vota.
Kandidati i PD-së për Korçën, Edmond Spaho ka denoncuar përmes 2 videove në Facebook se përkrahës të kandidatit të PS-së, Arian Jaupllari kanë ofruar para ndaj qytetarëve në fshatin Podgorie të Malqit në këmbim të votës. Me pretendimin se po kryenin shitblerje votash, përkrahës të PD kanë ndaluar në rrugë një 21-vjeçar dhe e kanë pyetur se kush nga kandidatët i ka ofruar para.
Pas publikimit të videos nga Edmond Spaho, shërbimet e komisariatit të Maliqit kanë shoqëruar 21-vjeçarin Kleant Kreka, për sqarimin e rastit, ndërsa i riu pohon për mediat se gjatë kohës kur e kanë filmuar ka qenë nën presion, ndërsa mohon të ketë marrë para nga kandidati socialist.
“Askush nuk ka ardhur dje, nga frika thashë nja dy llafe koti. Nuk ka ardhur askush dje. Në shtëpi nuk kishte njeri. Asnjë nuk më ka premtuar lekë. E kam thënë këtë gjë nga frika. Kam takuar në rrugë dikë dhe pastaj kam ardhur në shtëpi, se kush bëri video nuk e di dhe ikën në lokal”, tha ai.
Rastin e ka mohuar edhe vëllai i djalit dhe nën e tyre.
“Nuk ka asgjë të vërtetë. Këto bëhen sepse ne nuk kemi baba. Nuk na ka ardhur asnjë kandidat për deputet, nga frika ka folur vëllai i vogël, kishte frikë mos e rrihnin. Unë nuk merrem me këto punë, shikoj punën time. Nuk na ka premtuar njeri për lekë. Erdhi policia me gjithë kryeplakun e fshatit, sikur kishim vrarë njerëz, pa paralajmëruar, por asgjë nuk ka ndodhur”, tha ai.
“Nuk jam takuar me asnjë kandidat dhe nuk është aspak e vërtetë. Mua s’më ka premtuar dikush për lekë. Ndoshta djali mund ta ketë thënë këtë që kanë premtuar lekë edhe nga frika. Askush s’më ka premtuar për lekë votë apo diçka tjetër. Nuk më ka ardhur në shtëpi asnjë kandidat. Askush nuk na ka premtuar për asgjë. Ajo që ka thënë djali im, se është fëmijë e mund të thotë shumë gjëra, por nuk është e vërtetë”, është shprehur nëna.
Arian Jaupllari, kandidati i PS-së në Qarkun Korçë ka reaguar menjëherë pas publikimit të videove nga Spaho, duke mohuar çdo akuzë për blerje votash. Jaupllari teksa i bën thirrje SPAK, KQZ dhe Policisë së Shtetit për hetimin e rastit, garanton qytetarët se situata është nje makinacion politik i stisur nga opozita.
