Në mbyllje të fushatës elektorale të Partisë Mundësia, një moment i veçantë dhe i papritur u regjistrua në skenë: Enida Shehaj, bashkëshortja e Agron Shehajt, mbajti një fjalë ndryshe, duke ndarë me publikun një portret njerëzor të liderit të partisë.
Fjala e saj, e mbajtur pikërisht në përvjetorin e 18-të të martesës me Agron Shehajn, solli një dëshmi personale për njeriun që, sipas saj, nuk kërkon vëmendje publike, por vepron me përkushtim, stabilitet dhe ndershmëri, cilësi që ajo i konsideroi thelbësore për një udhëheqës që i duhet sot Shqipërisë.
“Sot jam shumë e emocionuar sepse sot është një ditë shumë e veçantë për mua. Ju do të mendoni se është për mbylljen e këtij rrugëtimi kaq të rëndësishëm. Kjo ditë rastisi në përvjetorin tonë. Ne sot bëjmë plot 18 vite bashkë. Prandaj dhe mora guximin të flas sepse dua të ndaj diçka me ju. Mendoj se askush më mirë se unë nuk e njeh Agronin.
Shpeherë më pyesin: Si është Agroni jashtë politikës? Si është ai në shtëpi.
Agroni nuk është ai burri i surprizave të mëdha apo i xhesteve romantike, i luleve. Meqë ra fjala sot nuk mi solli lulet.” – u shpreh zonja Shehaj, duke ndezur sallën.
“Por ai është një person që është gjithmonë aty kur unë kam nevojë. Ai të mbështet, të respekton dhe të bën të ndihesh e vlerësuar çdo ditë. Agroni është shtylla e familjes sime, është forca ime më e madhe dhe është mbështetja për fëmijët e mi.
Ju besoj e njihni tani, nuk është nga ata njerëz që bën premtime, fjalë, jo. Ai në realitet bën shumë më shumë nga sa thotë. Nuk është ai që kërkon vëmendje, por jep stabilitet dhe besim. Dhe unë besoj fort, me gjithë zemër, se Shqipërisë i duhet një njeri si Agroni, i vërtetë, i ndershëm, i vendosur. Pa spektakle, pa shfaqje, por i vërtetë. Unë ju falenderoj me gjithë zemër që I jeni bashkuar këtij rrugëtimi, që po na jepni shpresë. Po i jepni shpresë Shqipërisë dhe po na bëni të ëndërrojmë. Ju falenderoj shumë” – u shpreh Enida Shehaj.
(BalkanWeb)
