Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me zbatimin e Kodit Zgjedhor në Fier, menjëherë pas votimit të tij në zgjedhjet parlamentare të sotme.
Përballë mediave, Baçi deklaroi se një kuti votimi në Fier ka mbërritur me 500 fletë votimi më pak nga numri i parashikuar. Sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka urdhëruar shpërndarjen e fletëve nga qendra të tjera për të plotësuar mangësinë. “Është një mangësi serioze dhe një tregues i dobët për integritetin e procesit,” tha ai.
Deputeti demokrat akuzoi gjithashtu vëzhgues të Partisë Socialiste për ushtrim presioni dhe intimidim ndaj votuesve. Sipas tij, në disa qendra janë mbajtur shënime të votuesve dhe janë bërë telefonata nga brenda ambienteve të votimit për të ndikuar mbi zgjedhjen e qytetarëve. “Kjo veprimtari është ndërprerë në disa raste, por në disa qendra të tjera ende vazhdon,” shtoi ai.
Në lidhje me akuzat që vetë ai ka shkelur Kodin Zgjedhor duke hyrë në qendrën e votimit, Baçi i mohoi, duke sqaruar se praninë e tij në vendvotim e ka pasur vetëm për të verifikuar një situatë problematike pa cenuar ligjin.
