Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka denoncuar moslejimin e mediave në qendrën e votimit gjatë momentit që ai hodhi votën e tij. Meta theksoi se kishte rënë dakord më herët me administratën zgjedhore për praninë e mediave në orën 10:00, kur ai do të votonte, por kjo nuk u respektua.

Sipas tij, mediat u penguan pasi ai u paraqit në qendrën e votimit i veshur me ngjyrat kuq e zi, gjë që ai e cilëson si frikë të qeverisë ndaj simbolikës patriotike dhe mesazhit të lirisë.

“Kreu i Organizatës tmerrohet nga ngjyrat kuq e zi, sepse ato i kujtojnë mbrojtjen e Kushtetutës dhe kufijve të Kosovës”, shkruan Meta, duke akuzuar qeverinë për frikë nga pamjet live dhe vota e lirë.

Meta ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje, duke e cilësuar këtë një përballje historike mes “status quo”-së dhe ndryshimit.

“Ndryshon vetëm ai popull që lufton dhe voton!”, përfundon ai mesazhin e tij.

Reagimi i plotë: 

Të dashur qytetarë!

Unë sapo votova sepse sot është një ditë historike për të gjithë ju dhe për Shqipërinë tonë!

Në respekt të interesimit të mediave, që kishin kërkuar të ishin të pranishme, në procesin e votimit të Presidentit të Partisë së Lirisë, isha dakordësuar prej dy ditësh me administratën këtu, pas kërkesës së tyre, që të votoja sot pikërisht në orën 10:00, siç ishin njoftuar edhe mediat.

Por sapo patronazhistët njoftuan se unë dola i veshur Kuq e Zi nga qelia e narkoregjimit, gazetarët nuk u lejuan të hynin në qendrën e votimit.

Kreu i Organizatës tmerrohet nga ngjyrat Kuq e Zi në përgjithësi por në veçanti nga ngjyrat Kuq e Zi të Ilir Metës sepse ato i kujtojnë atij, por mbi të gjitha të gjithë shqiptarëve patriotë, mbrojtjen e Kushtetutës.

Se ato u kujtojnë të gjithë shqiptarëve patriotë në Shqipëri dhe anembanë botës mbrojtjen e kufijve të Kosovës nga Presidenti Ilir Metaj.

Ai ka tmerr edhe nga pamjet live të Ilir Metaj sepse ka tmerr nga vota e lirë dhe liria e shqiptarëve.

Ndaj sot në këtë ndeshje historike midis “status quo”-së dhe Ndryshimit i ftoj të gjithë shqiptarët patriotë dhe kuqezinj, të votojnë, të votojnë dhe vetëm të votojnë.

Ndryshon vetëm ai popull që lufton dhe voton!

Ne jemi popull shqiponjash dhe sot është koha për ta dëshmuar si kurrë më parë!

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb