Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, vizitoi një nga qendrat e votimit në Durrës, ku vëzhgoi nga afër procesin zgjedhor dhe u ndal për një deklaratë për mediat.
Gonzato theksoi se do të qëndrojë i rezervuar në komentet mbi ecurinë e zgjedhjeve deri në publikimin e raportit dhe rekomandimeve të misionit të OSBE/ODIHR. Megjithatë, ai nënvizoi se mënyra si zhvillohet ky proces është e një rëndësie të veçantë për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ai shtoi se krahas misionit të OSBE/ODIHR, edhe përfaqësues të shteteve anëtare të BE po ndjekin zgjedhjet në terren për të krijuar një tablo sa më të plotë të zhvillimeve.
“Donim të shikonim se si po ecën procesi i zgjedhjeve edhe në qytetet e tjera. Kemi edhe kolegët e mi nga shtetet anëtare të BE që kanë dalë për të vëzhguar. Arsyeja se pse po e bëjmë këtë gjë nuk është se nuk kemi besim te OSBE-ODIHR. Ata po bëjnë shumë një punë të mirë por sepse duam që edhe ne të kemi përvojën tonë, ta shikojmë gjënë nga afër, mendimet e qytetarëve dhe se si po ecën procesi në përgjithësi. Siç e kam thënë këto janë zgjedhjet e para që organizohen pas çeljes së negociatave dhe në fakt ka të bëjë me çështjen më themelore, të drejtat e njeriut. Mënyra se si do të shkojnë janë të rëndësishme edhe për procesin e anëtarësimit në BE”, tha Gonzato.
