Dy persona janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi u kapën në flagrancë duke fotografuar fletët e votimit gjatë procesit zgjedhor të ditës së sotme.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, shtetasit Hasan Doka, 57 vjeç, dhe Redion Lelo, 28 vjeç, u arrestuan nga shërbimet e komisariateve Nr. 3 dhe Nr. 4 pas denoncimeve të kryetarëve të komisioneve të qendrave përkatëse të votimit.

Veprimet e tyre janë cilësuar si shkelje e fshehtësisë së votimit, një vepër penale që parashikohet dhe ndëshkohet nga ligji zgjedhor në fuqi. Materialet procedurale janë referuar tashmë Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.

Policia e Tiranës ka bërë thirrje për respektimin rigoroz të rregullave të votimit, duke theksuar se çdo veprim që cenon fshehtësinë dhe integritetin e votës do të trajtohet me seriozitet të plotë dhe do të ndiqet penalisht.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb