Pritej që në këto ditë te Partizani të nisnin ndryshimet, por java ka nisur më e qetë se kurrë, çka edhe përbën një çudi më vete.PartizaniiiiPas dështimit, pritej që në klub gjërat të nisnin të lëviznin shpejt, por jo. Burime pranë klubit bëjnë me dije për gazetën se deri më tani nuk është marrë asnjë vendim në lidhje me të ardhmen e ekipit. Protagonistët janë shpërndarë me pushime nëpër familjet e tyre, teksa në korridoret e klubit “nuhatet” një tërheqje momentale, sa u përket lëvizjeve të paralajmëruara nga trajneri Gega.

NË PAUZË – Pas eliminimit, te Partizani ka nisur një periudhë reflektimi mbi vendimet që duhet të merren dhe mund të themi se klubi është mes një dileme jo të vogël: të nisë një revolucion me largime e afrime apo të vazhdojë projektin aktual. Sipas asaj që thuhet, projekti aktual e ka të vështirë nisjen, por Gega ka eksperiencën e duhur për ta “maturuar” këtë ekip dhe për t’i marrë frytet e suksesit. Nga ana tjetër, vetë trajneri ka pranuar publikisht se kërkohen ndryshime dhe do të duhen lëvizjet e duhura për ta kthyer Partizanin kampion. Mbetet për t’u parë se si do të veprojnë në klubin e kuq, por ajo çka vlen për t’u theksuar është se sapo kanë mbyllur një sezon të dështuar sportivisht dhe përpara kanë ndeshjet e Ligës së Konferencës, ku do të duhet një skuadër më e fortë për të kaluar ture.

BËRTHAMA – Nëse sheh skuadrën e Partizanit dhe e lidh me minutazhin, si dhe me paraqitjet që lojtarët kanë dhënë në fushë, mund të ndërtosh tri kategori të situatave të lojtarëve të kuq. E para është bërthama që përbëhet nga më shumë se 15 lojtarë, që në rast të një revolucioni nuk preken, madje ata do të jenë elementët ku skuadra do të mbështetet në sezonin e ri.

NË DYSHIM – E dyta janë lojtarët në dyshim. Në këtë kategori përfshihen ata që nuk kanë luajtur shumë dhe që mund të kërkojnë ose t’u kërkohet largimi në ditët apo javët në vijim. Emra si Vujnoviç apo Podstrelov kanë paga të majme, por nuk kanë bindur me paraqitjet. Pjesa tjetër kanë luajtur shumë pak me Gegën, madje disa edhe thuajse fare, çka na bën të themi se e ardhmja e tyre është në udhëkryq.

PA KONTRATË – Pesë lojtarë janë pa kontratë dhe për momentin në klub nuk kanë bërë asnjë lëvizje për të gjetur marrëveshje të reja. E paqartë është situata për Eleke dhe Domgjonin, që kanë të parashikuar opsionin e rinovimit. Nga ana tjetër, Mintongo ka ardhur në huazim me të drejtë blerjeje dhe duket e vështirë që Partizani të shpenzojë për të. Dyshime ka edhe për Gjelbrim Taipin, teksa Bintsuka mund të konsiderohet i larguar tashmë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb