Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka dhënë një deklaratë të fortë drejtuar anëtarëve të Grupeve të Numërimit të Votave dhe të KZAZ-ve, duke i falënderuar për angazhimin dhe profesionalizmin në përmbushjen e detyrës, por njëherazi edhe duke i paralajmëruar për respektimin e rreptë të ligjit zgjedhor.

Në mesazhin e tij, Celibashi thekson se çdo cënim i votës së kandidatëve në listat “e hapura” përbën një shkelje të rëndë të integritetit zgjedhor dhe do të pasohet me masa ligjore serioze ndaj përgjegjësve.

“Rikujtojmë se është rreptësisht e ndaluar të bëhet rivlerësim i votave për partitë apo koalicionet, tani që ka filluar procesi i numërimit dhe i vlerësimit të votave për kandidatët në listën e hapur,” deklaron Celibashi.

Ai thekson se ligji është i qartë: Fletët e votimit ku është shprehur vota vetëm për partinë apo koalicionin, duhet të ruhen në një zarf të veçantë dhe nuk i nënshtrohen rivlerësimit gjatë numërimit për kandidatët.

Celibashi e konsideron çdo shkelje të këtij rregulli si tentativë për manipulim të rezultatit zgjedhor, që do të trajtohet me masa të rënda ligjore.

Ai gjithashtu kujton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve disponon filmimet e procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave për partitë dhe koalicionet në të gjitha KZAZ-të, çka do të shërbejë si provë në rastet e dyshimeve për manipulime apo abuzime.

Postimi i plotë:

Për anëtarët e grupeve të numërimit dhe të KZAZ-ve

Duke falënderuar të gjithë anëtarët e Grupeve të Numërimit të Votave dhe të KZAZ-ve që po e kryejnë detyrën me profesionalizëm, në përputhje me ligjin dhe udhëzimet e KQZ-së, dëshirojmë të sjellim në vëmendje të të gjithëve:

Cënimi i votës së çdo kandidati në listën “e hapur” përbën një shkelje të rëndë të integriteti zgjedhor e që sjell pasoja ligjore serioze për përgjegjësit.

Në këtë kuadër, rikujtojmë se është e ndaluar të bëhet një rivlerësim i votave për partitë politike apo koalicionet, tani që ka filluar procesi i numërimit dhe i vlerësimit të votave për kandidatët në listën “e hapur”.

Ligji përcakton qartë se, fletët e votimit, në të cilat vota është shprehur vetëm për partinë apo koalicionin, ruhen në një zarf të veçantë dhe nuk i nënshtrohen rivlerësimit gjatë procesit të numërimit dhe të vlerësimit të votave për kandidatët.

Çdo shkelje e këtij rregulli do të konsiderohet si tentativë për të manipuluar rezultatin zgjedhor dhe do të ndiqet me masa të rrepta ligjore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve disponon filmimet e procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave për partitë dhe koalicionet për të gjitha KZAZ.

Ilirjan Celibashi

Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve

493911445 1071028308409333 5821972490142988582 N
493911445 1071028308409333 5821972490142988582 N 

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb