Mads Pedersen ka kompletuar tripletën e fitoreve në pesë etapat e para të Xhiros së Italisë 2025. Çiklisti danez i skuadrës, Lidl-Trek, i ka forcuar pozitat si lider i edicionit 108-të, teksa dje triumfoi në etapën e pestë, Ceglie Messapica- Matera (151 km).

Pedersen fitoi në sprintin final, duke lënë pas italianin Edoardo Zambanini (Bahrein-Victorius) dhe anglezin Thomas Pidcock (Q36.5 Pro Cycling). Faza e parë e garës u karakterizua nga shkëputje e Davide Bais (Polti VisitMalta) dhe Giosue Epis (Arkea – B&B Hotels), të cilëve iu bashkua pas disa kilometrave edhe Lorenzo Milesi (Movistar Team). Këta çiklisti arritën të fitonin avantazh deri në 2 minuta e gjysmë nga grupi.

Megjithatë, skuadra Lidl-Trek nuk la hapësirë dhe menjëherë e rifitoi terrenin. Por, drejt garës së madhe malore Montescaglioso, Bais dhe Milesi u shkëputën, ndërsa Epis mbeti pas. Dy kryesuesit u përpoqën të rezistonin në kilometrat e fundit, ndërsa pas Lidl-Trek dhe UAE Team Emirates u përpoqën t’i vinin sprintierët në vështirësi. Kështu, aventura nga Milesi dhe Bais në krye përfundoi 13 kilometra nga finishi, duke nisur kështu ekipet e sprinterëve më rezistentë, të aftë për të kapërcyer vështirësitë finale.

Në 2 kilometrat e fundit, Primoz Roglic (Red Bull-Bora-Hansgrohe) u përpoq të përshpejtonte, por në fazat e fundit, fanella rozë, Mads Pedersen, arriti të rikthehej fuqishëm, për të marrë fitoren në sprint, duke mposhtur me pak centimetra italianin Zambanini. Vendi i tretë për Thomas Pidcock (Q36.5 Pro Cycling Team), i cili mundi venezuelianin Orluis Aular (Movistar Team), ndërsa Filippo Fiorelli (VF Group – Bardiani CSF – Faizane) kompletoi pesëshen e parë. Për sa i përket klasifikimit të përgjithshëm, Pedersen e rrit epërsinë e tij ndaj Roglic në 17 sekonda dhe në 24 sekonda ndaj Vacek.

Kujtojmë që Xhiro e Italisë për herë të parë në histori nisi me 3 etapat e parë në Shqipëri, për ta nisur pedalimin të martën në anën tjetër të Adriatikut. Edicioni i 108-të ka gjithsej 21 etapa për 3,413.3 km gjithsej. Eventi do të mbyllet më 1 qershor në Vatikan, në kujtim të Papa Françeskut.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb