TIRANE – Gjyshi i vogëlushit 3-vjeçar që u dhunua nga pronarja e kopshtit “Diren”, ka reaguar për ngjarjen e rëndë. Pashk Alia rrëfen për portalin “360gradë” se familja është duke kaluar një stres të madh, pasi panë me sytë e tyre dhunën kafshërore që ushtrohej ndaj nipit të tij.

“Jemi duke kaluar një stres të madh. Është mëkat të shohësh lotët e fëmijës në atë formë. Ishte një dhunë kafshërore dhe nuk kam fjalë për ta përshkruar, pasi do dilja nga vetja. Sot na thirri Ministria dhe kemi besim për angazhimin e saj. Ajo na garantoi se në bashkëpunim me institucionin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrinë së Mirqënies Sociale do na japin kujdesin mjekësor e social të nevojshëm për djaloshim. Ne si familje jemi mësuar ta respektojmë ligjin dhe ta zbatojmë atë. Ne e duam shtetin ligjor dhe besojmë në të. Jemi mësuar ti bëjmë gjërat sipas rregullave dhe ne besuam tek ai kopsht”, u shpreh Alia.

Gjyshi i vogëlushit shprehet se beson tek institucionet, duke uruar të mos ketë lidhje të shkurtra që përgjegjësit ti shmangen drejtësisë. Pashk Alia thekson se familja nuk donte të bënte drejtësi vetë, por tashmë e ka lënë gjithçka në dorë të autoriteteve.

“Na thanë fjalë të mira. Uroj të mos ketë lidhje të shkurtra, dhe përgjegjësit ti shmangen drejtësisë. Por kam besim se çështja është aq e madhe sa do jetë e vështirë të ketë lëvizje qe ta çojnë mbrapsht këtë proces ligjor. Uroj që gjërat të bëhen sipas ligjit dhe të vendoset çdo gjë sipas ligjit. Ne nuk deshëm të bënim drejtësi vetë, por emocionet që na përshkruan kur pamë videon ishin shumë të forta. Duhet kuptuar që djali është shumë i vogël dhe ta rrahësh ashtu, sikur e pamë. Ne do mirëkuptonim një shuplakë të vogël duarve, por jo në atë formë kafshërore. Ajo është një dhunë. Uroj dhe njëherë që Ministria e Arsimit, të na mbështesë në formë institucionale. Ministria e Shëndetësisë na ka mbështetur për grupi institucional për kurimin mjekësor psikologjik. Por kemi besim te Ministria e Arsimit”, tha Pashk Alia.

Pak ditë më parë, emisioni investigativ “Stop” transmetoi një video shokuese, ku administratorja e kopshtit privat “Diren” Anjeza Shabani dhunonte barbarisht një fëmijë 3-vjeçar. Pas publikimit të pamjeve, pronarja e kopshtit është arrestuar nga policia. Anjeza Shabani pranoi dhunën ndaj fëmijët, duke theksuar se ka qenë rast i vetëm dhe më pas ajo e ka përkëdhelur dhe puthur atë.
(er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: