Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, theksoi rëndësinë e Shqipërisë në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe rolin e saj udhëheqës në rajon.
“Vendi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është i rëndësishëm. Dua të shpreh bindjen time për ribashkimin e kontinentit europian, për t’i bërë bashkë ballë sfidave të përbashkëta,” deklaroi Macron.
Presidenti francez vlerësoi progresin që ka bërë Shqipëria në rrugën e integrimit dhe theksoi mbështetjen e plotë të Francës në këtë proces.
“Shqipëria ka bërë shumë përparime dhe jam i lumtur për mandatin e qartë që morët. Rruga juaj është shumë e qartë. Franca do të jetë krah jush në këtë rrugë dhe në këto reforma, dhe do të sigurohemi që puna juaj të vlerësohet,” u shpreh Macron.
Në përmbyllje, ai vlerësoi modelin që Shqipëria po përfaqëson në rajon.
“Shqipëria tregon udhën në mënyrë të shkëlqyeshme,” tha presidenti francez, duke nënvizuar angazhimin e Francës për të qenë një mbështetës i fortë i Tiranës në procesin e integrimit europian.
