Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, u takua sot në Vatikan me Papën Leonin XIV, i cili është udhëheqësi i parë i Kishës Katolike Botërore nga Shtetet e Bashkuara.

Gjatë takimit, Vance i dorëzoi Atit të Shenjtë një ftesë zyrtare për të vizituar Shtetet e Bashkuara. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Papa priti në audiencë Vance-in në mëngjes dhe se “ishte një takim i mirë dhe produktiv.” Ajo sqaroi gjithashtu se presidenti Trump “shpreson ta shohë Papën Leon në Uashington sapo ai të ketë mundësi të vijë”.

Vance, i cili ishte kritikuar ashpër në të kaluarën nga Papa i ndjerë Françesku për qasjen e ashpër të administratës Trump ndaj emigracionit, i dorëzoi Papës një letër personale duke deklaruar se ishte nga Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump, të cilët “ju ftojnë të vini”.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb