Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka firmosur nga qelia ku vijon të mbahet i izoluar, urdhrin për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit për çdo njësi dhe qendër votimi në Qarkun Tiranë për të verifikuar punën dhe rolin e gjithsecilit.
Lajmin e ka bërë vetë me dije në një postim në rrjetet sociale ku falënderon votuesit e PL duke u shprehur mirënjohjen për rezistencën ndaj presioneve të jashtëzakonshme sipas tij të Narkoshtetit.
Mesazhi i plotë
Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së Lirisë,
Firmosa sot urdhrin për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit për çdo Njësi dhe Qendër Votimi në Qarkun Tiranë për të verifikuar punën dhe rolin e gjithsecilit.
Edhe njëherë faleminderit me mirënjohje të gjithë atyre të cilët i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cënoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës, duke vijuar me vendosmëri, qëndresë e kurajë t’i prijnë betejës tonë të përbashkët në mbrojtje të kauzave madhore.
