Pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit, Ilda Zhulali, kandidate për deputete e Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, ka reaguar me tone kritike ndaj procesit zgjedhor, duke e cilësuar atë si një farsë dhe duke akuzuar qeverinë për manipulim masiv të vullnetit qytetar.
Zhulali, e ftuar në News 24, tha se presioni mbi votuesit, përdorimi i bandave në qendrat e votimit dhe fenomeni i njohur si “treni bullgar” dëshmojnë se vendi ndodhet në kushtet e një autokracie elektorale. “PD i ka qëndruar një shteti represiv, por opozita nuk mund të kthehet në polici, as në Prokurori e as në gjykatë”, u shpreh Zhulali.
Ilda Zhulali, kandidate e PD për Tiranën: PD hyri në zgjedhje me një ekip shumë të mirë, me program fantastik, por ne kishim përballë një regjim, që tjetërson vullnetin e qytetarëve. Nuk e kisha parashikuar që forca shtypëse e Ramës të arrijë deri në këtë pikë. Bandat në qendrat e votimit iu bënë presion zgjedhësve. Qytetarëve iu janë marrë kartat e ID, kemi parë sot një rast të një “treni bullgar”. Vota tjetërsohet dhe Shqipëria ka treguar se është autokraci elektorale. Zgjedhjet janë farsë dhe nuk është se kanë rëndësi më. Po shkojmë drejt një diktature, të një kaste politike në bashkëpunim me krimin e organizuar. PD i ka qëndruar një shteti represiv, por opozita nuk mund të kthehet në polici, as në Prokurori e as në gjykatë. Sot përpara nuk kemi një parti-shtet, por kemi parti-shtet, në bashkëpunim me mafien, këtu mafia ka shtetin e vet, mafia ka institucionet e veta dhe kjo fuqi e krimit zbret në gjitha familjet shqiptare.
(Balkanweb)
