Policia ka njoftuar se është proceduar pronari i lokalit në Pekisht, ku kreu i PD Sali Berisha denoncoi ditën e djeshme se u gjetën materiale zgjedhore.

Në një njoftim për mediat, blutë bëjnë me dije se gjatë kontrollit në lokal u gjetën dhe sekuestruan 10 fletë të ngjashme me ato të votimit, të paplotësuara dhe të dyshuara të falsifikuara, si dhe një listë emërore e zgjedhësve.

Gjithashtu, pronarit iu sekuestrua portofoli me një shumë prej 280,000 lekësh.
Kontrolli u shtri edhe në banesën e shtetasit D. B., ku u gjetën një pushkë e vjetër trofe dhe një pistoletë zhurmuese sportive.

Njoftimi:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin, pas njoftimit të marrë më datë 22.05.2025, se në një lokal në fshatin Pekisht, ishin gjetur disa materiale të dyshuara zgjedhore, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, me qëllim verifikimin e rastit.

Gjatë veprimeve të kryera në vendngjarje, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, në lokalin e shtetasit D. B., janë gjetur dhe sekuestruar 10 fletë të ngjashme me fletët e votimit, të paplotësuara, të dyshuara të falsifikuara, si dhe një listë emërore e zgjedhësve. Gjithashtu, është sekuestruar portofoli i shtetasit D. B., me 280 000 lekë.

Më tej, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D. B., janë gjetur një pushkë e vjetër trofe dhe një pistoletë zhurmuese (sportive).

Në vijim të veprimeve për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet procedurale në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. B., për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb