Autoritetet në Gjermani kanë raportuar se e kanë shtuar dukshëm numrin e migrantëve të paligjshëm që kanë kthyer pas, në kufi.

Kancelari Merz ka theksuar ndërkohë se Gjermania mbetet një vend i hapur për të huajt, por jo për spostimin në Gjermani të problemeve të të tjerëve.

Gazetari i DW, Auron Dodi në një lidhje me skype në studion e News24, ka theksuar se deri më tani, janë kthyer pas në kufi 739 persona, përballë 511 sprapsimeve të një jave më parë nën qeverinë e vjetër.

“Në kufi janë kthyer pas edhe 32 azilkërkues, nga 51 vetë gjithsej që aplikuan për azil në kufi. Por 19 persona prej këtij grupi u lejuan të hyjnë në Gjermani, sepse qenë pjesëtarë të grupeve vulnerabël”, tha Dodi.

Më poshtë intervista e plotë

Auron, përshëndetje.

A mund të thuhet se masat e reja të qeverisë Merz për migrimin e paligjshëm po tregojnë sukses që në krye?

Përshëndetje: Shifrat që paraqiti ministri i Brendshëm i Gjermanisë Alexandër Dobrindt janë konkrete. Dobrindti tha në një vizitë në Kiefersfelden, pikë kontrolli kufitar me Austrinë, se numri i kthimeve pas është rritur 45 përqind. Kjo vetëm një javë pas fillimit të punës së qeverisë Merz.

Janë kthyer pas në kufi 739 persona – përballë 511 sprapsimeve të një jave më parë, nën qeverinë e vjetër. Në kufi janë kthyer pas edhe 32 azilkërkues, nga 51 vetë gjithsej që aplikuan për azil në kufi. Por 19 persona prej këtij grupi u lejuan të hyjnë në Gjermani, sepse qenë pjesëtarë të grupeve vulnerabël.

Mediet në Gjermani shkruajnë se kthime masive bënte së fundi edhe qeveria Scholz dhe se masat e tanishme janë simbolike. Ç’mund të na thuash për këtë?

Po, kthime ka pasur edhe më parë. Në tre muajt e parë të këtij viti, qeveria e kaluar Scholz dëboi nga Gjermania mbi 6100 vetë. I ktheu pas kryesisht në Turqi, në Gjeorgji, në Francë, në Spanjë dhe në Serbi.

Por tani ministri i Brendshëm i Gjermanisë Dobrindt tha se masat aktuale nuk janë sa për sy e faqe, siç e akuzon qeverinë p.sh. partia ultra e djathtë, AfD. Këtë e konfirmon fakti se janë shtuar në kufi mbi 3000 efektivë policie. Janë përdorur gjithashtu edhe helikopterë, dronë dhe kamera të imazheve termike, për të diktuar migrantët ilegalë.

Ministri i Brendshëm tha se jo në çdo pikëkalimi kufitar ndodhet një efektiv policie – por edhe mund të ndodhet. Kjo bëhet për të çorientuar trafikantët e qenieve njerëzore.

Kthimi i refugjatëve është megjithatë çështje e ndjeshme politike, jo vetëm proceduriale. Cilat janë kontaktet e autoriteteve gjermane me fqinjët?

Kancelari Friedrich Merz tha në një kongres të degës së partisë së tij CDU, në Shtutgart, të shtunën (17.05.) se kishte “folur me të gjithë” fqinjët. Dhe “të gjithë e dinë se çfarë synojmë ne”. Ai u tha të pranishmëve:”mos lejoni askënd t’ju thotë se kjo është e drejtuar kundër fqinjëve tanë evropianë.”

Merzi tha se “ne duam ta zgjidhim këtë problem së bashku (me fqinjët- shën. i red.), por nuk mund ta pranojmë, që një pjesë e madhe e problemit të pazgjidhur të mbërrijë në Republikën Federale të Gjermanisë.”

Një shembull që sjellin mediat këtë javë janë refugjatët nga Lindja e Mesme dhe Azia. Këta refugjatë p.sh. Bjellorusia i dërgon në Poloni, prej ku shumë pastaj vijnë në Gjermani.

Kurse kryetari i grupit parlamentar konservator, CDU/CSU në Bundestag, Jens Spahn tha se edhe po të ketë “zemërime” të fqinjëve: qytetarët në Gjermani duhet të kenë mundësi të shohin “të kënaqur, atë që ndodh në kufijtë tanë.”

A është migrimi një problem akut për Gjermaninë, që qeveria Merz ka ashpërsuar kursin?

Sipas sondazheve të fundit, migrimi paraqet shqetësim për gjermanët, por edhe më shumë janë të preokupuar ata për ekonominë.

Është fakt se shumë komuna e qytete në Gjermani ankohen për mungesë kapacitetesh për të përballuar numrin e madh të migrantëve, që vijnë njëherësh në Gjermani.

Prandaj kancelari Merz deklaroi në Shtutgart se qeveria do të kujdeset, që qytetet dhe komunat të kenë sërish ajër për të marrë frymë, dhe që Gjermania të jetë përsëri një vend i hapur, tolerant dhe miqësor ndaj të huajve.

Njëkohësisht, me qëndrimin e partisë ultra të djathtë AfD në mendje, Merzi tha: kushdo që dëshiron të “jetojë dhe punojë” në Gjermani është i mirëpritur dhe “në vendin e duhur”.

Është fakt edhe se migrimi si temë shfrytëzohet me shumë sukses kundër qeverive gjermane nga AfD-ja. Kjo vazhdon sidomos pas atentateve të kryera nga të huajt në Aschaffenburg dhe në Mynih, në janar dhe shkurt.

Kujtojmë se AfD-ja synon të dalë e para në zgjedhjet parlamentare të 2029-ës në Gjermani. Dhe një fitore e AfD-së, deklaroi Merzi në fillim të këtij viti, do të thoshte “minim i bazave demokratike” të Gjermanisë.

Merzi kujtoi ardhjen në pushtet të Adolf Hitlerit dhe tha se për Gjermaninë është mjaft “një vit 1933”.

Fqinjë të Gjermanisë, në radhë të parë Polonia, kanë thënë se nuk do të pranojnë refugjatë të kthyer pas nga Gjermania. Çfarë po ndodh në fakt?

Po, fqinjë të Gjermanisë si Polonia apo Luksemburgu, edhe Zvicra kanë paraqitur rezerva. Kryebashkiakët e qytetit kufitar gjerman të Kehlit dhe të qytetit francez Strasburg i dërguan madje një letër kancelarit Merz.

Në të ata ankohen për ngadalësim të aktiviteteve ekonomike, siç shkruajnë, prej kontrolleve kufitare.

Por shtete të tjera, ndër ta Danimarka kanë treguar mirëkuptim për masat e Gjermanisë. Sidoqoftë, vendet fqinje me Gjermaninë i kanë ripranuar personat që kanë hyrë jo ligjërisht në Gjermani, nga territori i tyre.

Ministri Dobrindt tha në Bundestag se qeveria gjermane shfrytëzon për kthimet një bazë të kombinuar ligjore: nenin 18.2 të Ligjit gjerman të Azilit. Të kombinuar me Nenin 72 të marrëveshjeve të BE, për “ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e sigurisë së brendshme”.

Të tërheq vëmendjen fakti se neni evropian 72 zëvendëson në zbatim direktivën e njohur të Dublinit. Dihet se sipas Dublinit, azilkërkuesit duhen pranuar njëherë në vend, pastaj të konstatohet se cili vend është përgjegjës për ta.

Mbi bazën e direktivës së Dublinit i ktheu pas qeveria e kaluar gjermane mijëra migrantët e paligjshëm muajt e parë të këtij viti. Gjithsesi, kancelari gjerman tha në Shtutgart se këto probleme duhet të zgjidhen “hap pas hapi”.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb