Në kuadër të 100-vjetorit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përgatitur një dokumentar mbi rrugëtimin historik të institucionit që nga themelimi në vitin 1925 deri në ditët e sotme. Në këtë material paraqiten ngjarjet më të rëndësishme të historisë institucionale. Një histori e gërshetuar me sfida dhe suksese, që vazhdon e udhëhequr nga vlerat e integritetit, profesionalizmit dhe përkushtimit ndaj interesit publik.
Historia 100-vjeçare e Kontrollit të Lartë të Shtetit nis me Këshillin Kontrollues të Financave, që u themelua më 20 maj të vitit 1925. Në vitet e para të veprimtarisë së tij, Këshilli Kontrollues i Financave, i drejtuar nga Fejzi Alizoti, përballet me sfida të shumta. Ky institucion duhet të operonte në një terren të panjohur, plot me vështirësi dhe pengesa. Ndërtimi i një shteti modern kërkonte fonde dhe kontrolli i tyre ishte thelbësor.
