Në emisionin “Kjo Javë” në News24, ishte e ftuar dhe një arsimtare, Anila Hila, me të cilën gazetarja Nisida Tufa bisedoi mbi problemet që prekin adoleshentët shqiptarë, nisur dhe nga ngjarje të rënda të ndodhur këtë vit në shkollat shqiptare.
Hila nënvizoi në intervistë rolin e familjes në krijimin e një raporti të afërt me fëmijën e tyre adoleshent, por dhe stafin pedagogjik ku vëmendja dhe roli i arsimtarit është shumë i rëndësishëm.
“Roli i mësuesit është që të mos qëndrojë indiferent në rastet kur një fëmijë bullizohet. Këto raste duhet të hetohen nga ne si arsimtarë, pasi nëse përsëriten, këto ngjarje agravojnë dhe përfundojnë deri në tragjedi. Ndonjëherë fëmijët që bullizojnë justifikohen duke thënë se kanë bërë shaka, por ne kemi përgjegjësi të plotë të hetojmë rastin që ai të mos përsëritet.
Secili prej nesh në punën që bëjmë ka përgjegjësi të plotë për këta adoleshentë që bullizohen ndaj rastet duhet të cohen deri në fund. Të mos mjaftohemi se ata u pajtuan. Pasi ne nuk e dimë sa serioze ishte kjo shaka tek adoleshenti”, u shpreh mësuesja Anila Hila.
(BalkanWeb)
