Një Vllaznia ndryshe dhe e re po projektohet në Shkodër për edicionin e ri. Lëvizjet e para për riformatimin e skuadrës kanë nisur, ku tashmë si trajner i skuadrës kuqeblu do të jetë Edi Martini e ndërsa rolin e drejtorit sportiv e ka marrë Vioresin Sinani.
Ky i fundit ka pasur rolin e zëvendëstrajnerit të ekipit në edicionet e kaluara. E pikërisht nga këto ndryshime pritet edhe një rikthim i “ADN”-së shkodrane në skuadër. Të gjithë tashmë presin një Vllazni me një futboll dominues dhe spektakolar. Nisur kjo nga dyshja drejtuese e stafit teknik në Shkodër. Ku si Sinani ashtu edhe Martini mbahen mirë mend nga tifozët shkodranë dhe jo vetëm për stilin e tyre sulmuese si futbollistë.
E pikërisht nga një ishfantazist si Martini dhe golashënuesi më i mirë i historisë së futbollit shqiptar, Sinani, pritet një Vllazni që do të rikthehet në identitet. Dyshja në karrierën e tyre si futbollistë numëron qindra gola të shënuar e po ashtu janë pjesë e brezit të fundit që solli titullin kampion te Vllaznia. Këtë frymë pritet të kalojnë edhe tek futbollistët, të cilët nën drejtimin e figurave të tilla të futbollit shkodran patjetër do kenë një motiv ende më shumë për të shfaqur vlerat e tyre.
E puna menjëherë ka nisur për Martinin dhe Sinanin, me të parin që po përgatit planin stërvitor për skuadrën pas rikthimit nga pushimet. Ku patjetër po mendohet edhe për fazën përgatitore të verës të cilën shkodranët pritet ta zhvillojnë jashtë vendit, teksa për Sinanin puna nis nga zyra e terreni po ashtu, ku duhen “pikasur” futbollistët të cilët mund të afrohen dhe japin kontributin e tyre për Vllazninë në sezonin 2025-26. Teksa kurioziteti është shumë i madh për të parë Vllazninë e re. Tifozët shkodranë presin afrimin e emrave të njohur dhe një lojë që i shkon përshtat historisë së kuqebluve, ku titulli kampion ngelet sërish ëndrra për të gjithë në qytetin verior.
