Dy ditë pas arrestimit të tyre gjatë një dreke në një restorant luksoz në Gjirin e Lalzit, Xhevdet Plaku dhe gjashtë persona të tjerë u paraqitën para gjykatës së Durrësit. Gjykata vendosi që Xhevdet Plaku, Voltan dhe Jugert Xhani, Fatjon Qesja, Oltion Hasani dhe Flobenc Meçja të qëndrojnë në arrest në burg, ndërsa për Alfred Hasanajn u mor masa “detyrim paraqitjeje” dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.

Ata u paraqitën në gjykatë me masa të rrepta sigurie, me praninë edhe të forcave speciale të policisë (FNSH). Seanca nisi me një orë e gjysmë vonesë për shkak të vonesës së Voltan Xhanit dhe Flobenc Meçjas, të cilët nuk ndodheshin në paraburgimin e Durrësit. Gjykimi u zhvillua me dyer të mbyllura.

Policia kapi në flagrancë 7 personat teksa po konsumonin një drekë të shtrenjtë me peshk dhe krudo, dhe 4 prej tyre rezultuan të armatosur.

Xhevdet Plaku, i njohur me nofkën “Kiss” nga Durrësi, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ishte arratisur nga burgu në Ankonë në janar të këtij viti. Ai kishte qenë i dënuar në Itali për trafik droge. Ndërkohë, Flobenc Meçja, i njohur si Gega ose Drini nga Shkodra, ishte në kërkim nga SPAK për më shumë se një vit, lidhur me dosjen “Plumbi i Artë”. Ai akuzohet për “Organizatë kriminale” dhe “Sigurim të kushteve për kryerjen e vrasjeve”.

Voltan Xhani konsiderohet i dyshuari kryesor në organizimin e vrasjes së Elis Rroshkodolit në lagjen “Ahmet Haxhiu” në Shkodër më 30 gusht 2024. Sipas policisë, 39-vjeçari, i cili jeton në Holandë, ka siguruar armët dhe makinat që u përdorën në vrasje, ndërsa vëllai i tij, Jugerti, e ka ndihmuar në këtë krim. Të dy janë pronarë të disa bizneseve.

Masat e kerkuara

Arrest me burg:

Voltan Xhani

Fatjon Qesja

Jugert Xhani

Oltion Hasani

Xhevdet Plaku (Kis)

Flobenc Meçja (Gega)

Detyrim paraqitje; ndalim dalje jashte shteti:

Alfred Hasanaj

N J O F T I M

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, nisur nga interesimi vazhdueshëm i medias, në kuadër të informimit për çështje që konsiderohen me interes publik, lidhur me operacionin “Enigma”, ku u vunë në pranga 7 shtetas, në kuadër të transparencës dhe në zbatim të parashikimeve ligjore në fuqi, veçanërisht Ligjit Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, (I përditësuar) nëpërmjet kësaj deklarate, informon se:

Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës në datë 24.05.2025 është regjistruar çështja penale me Nr. 335 Akti, me objekt “Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personave nën hetim dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj shtetasve Xh.P, F.M, V.Xh, J.Xh, O.H, A.H. F.Q”.

Kjo çështje u gjykua nga Gjyqtari i gatshëm Z. Sokol Mara.

Seanca gjyqësore u zhvillua në datë 25.05.2025

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, për çështjen e sipërcituar, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka disponuar me Vendimin Nr. 355, datë 25.05.2025, ku shkurtimisht:

VENDOSI:

  1. Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim Xh.P, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “mos kallëzimi i krimit”, të parashikuara përkatësisht nga neni 278, prg.1, prg.3, dhe neni 300 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
  2. Caktimin ndaj personit nën hetim Xh.P, të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.
  3. Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim F.M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “mos kallëzimi i krimit”, dhe “falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, të parashikuara përkatësisht nga neni 278, prg.1, prg.3, neni 300, dhe neni 189, prg.1, i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
  4. Caktimin ndaj personit nën hetim F.M, të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.
  5. Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim V.Xh, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “mos kallëzimi i krimit”, të parashikuara përkatësisht nga neni 278, prg.1, prg.3, dhe neni 300 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
  6. Caktimin ndaj personit nën hetim V.Xh, të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.
  7. Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim J.Xh, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “mos kallëzimi i krimit”, të parashikuara përkatësisht nga neni 278, prg.1, prg.3, dhe neni 300 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
  8. Caktimin ndaj personit nën hetim J.Xh, të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.
  9. Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim O.H, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “mos kallëzimi i krimit”, të parashikuara nga neni 300 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
  10. Caktimin ndaj personit nën hetim O.H, të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.
  11. Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim A.H, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “mos kallëzimi i krimit”, të parashikuara nga neni 300 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
  12. Caktimin ndaj personit nën hetim A.H, të masave të sigurimit personal “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të parashikuara respektivisht nga neni 234 dhe 233 i Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.
  13. Urdhërohet e personi nën hetim A.H, të paraqitet para shërbimeve të policisë gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, çdo të hënë, ora 10:00.
  14. Urdhërohet personi nën hetim A.H, të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë, pa autorizimin e Gjykatës. Urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, që në funksion të zbatimit të këtij vendimi të sekuestrojë pasaportën apo dokumentet e tjera identifikuese të shtetasit A. H., të vlefshme për daljen jashtë shtetit.
  15. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim A.H, nëse në ngarkim të tij nuk ekziston ndonjë masë tjetër sigurimi personal me karakter shtrëngues, arrest në burg, dhe/ose ndonjë vendim penal dënimi me burgim, i formës së prerë.
  16. Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim F.Q, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “përkrahja e autorit të krimit” dhe “mos kallëzimi i krimit”, të parashikuara përkatësisht nga neni 302, dhe neni 300, i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
  17. Caktimin ndaj personit nën hetim F.Q, të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.
  18. Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore.
  19. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, shpreh gatishmërinë maksimale në kuadër të bashkëpunimit me Median, si dhe mbetemi të gatshëm për çdo sqarim apo eventualitet të mundshëm.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb