Elbasanit i rri ngushtë një tjetër vend i pestë sezonin e ardhshëm në Superiore.
Pasi i shkuan shumë pranë zonës së Europës këtë edicion, për vitin e ardhshëm nuk ka më justifikime nëse nuk do t’ia dalin dot. Ky objektiv arrihet vetëm duke bërë një merkato cilësore dhe dubluar të gjitha rolet në fushë. Ndaj, mund të thuhet pa frikë se pritet një verë e nxehtë për verdheblutë, nga e cila varet shumë edhe ecuria e tyre në kampionat. Deri tani kanë dalë në skenë disa emra sa i përket afrimeve në skuadër, por deri tani kanë qenë të gjitha në kuadrin e fjalëve dhe ende nuk është bërë asnjë zyrtarizim.
TREGU I HUAJ – Elbasani ka qenë një nga ekipet që është mbështetur shumë tek tregu i huaj sa u përket lojtarëve. Madje, sezonin që lamë pas formonte pa frikë një formacion të plotë. Tani që numri i tyre do të jetë pa limit, nuk ka më pengesa për të parë sërish jashtë vendit për të bërë përforcime. Dhe, duke parë për momentin vështirësitë për të gjetur lojtarë cilësorë në kampionatin shqiptar, shpëtimi mund të vijë nga jashtë vendit. Burime të gazetës pranë klubit pohojnë se u janë propozuar lojtarë të ndryshëm dhe po “peshohen” secili nga ana e trajnerit dhe stafit, për të parë nëse mund t’i shërbejnë apo jo skuadrës. Deri më tani verdheblutë kanë në ekip plot nëntë të huaj që janë nën kontratë me skuadrën. I vetmi që u largua këtë sesion ishte portieri Razak Abalora, të cilit nuk iu rinovua kontrata nga ana e klubit. Në janar u largua Leo Melo, i cili shkoi në radhët e skuadrës së Egnatias.
NDËRHYRJET – Në Elbasan nuk duan të prekin boshtin e skuadrës. Kjo nënkupton se pjesa më e madhe e titullarëve do të vijnë nga edicioni që lamë pas, në të kundërt klubit i duhet të ndërtojë çdo gjë nga e para. Ky opsion ka rënë menjëherë poshtë dhe nuk do të ketë revolucion. Mësohet se po diskutohet për pak a shumë pesë lëvizje, por me idenë që të jenë futbollistë që të vijnë edhe marrin një vend titullari në skuadër. Me pak fjalë, nëse do të largohen pesë lojtarë, po kaq do të afrohen. Numri i atyre që do të vijnë duhet të jetë i njëjtë me të larguarit, sepse në të kundërt prishen balancat në ekip dhe kjo gjë pritet të evitohet me çdo kusht nga drejtuesit.
