Malajzia bëri thirrje të dielën për zgjatjen dhe zgjerimin e armëpushimit pas tërmetit në Mianmar, i cili skadon në fund të majit, pavarësisht luftimeve të vazhdueshme që vënë në pikëpyetje efektivitetin e tij.
Junta ushtarake në pushtet fillimisht shpalli një armëpushim në luftën civile shumëpalëshe pas një tërmeti të fuqishëm në fund të marsit që vrau gati 3,800 njerëz dhe la dhjetëra mijëra të pastrehë.
Armëpushimi është zgjatur edhe më parë, megjithëse monitoruesit e konfliktit thonë se luftimet kanë vazhduar, duke përfshirë sulmet ajrore të rregullta të juntës.
Në një takim të ministrave të jashtëm rajonalë të dielën, ministri i jashtëm malajzian Mohamad Hasan “propozoi zgjatjen dhe zgjerimin e armëpushimeve përtej zonave të prekura aktualisht”, thuhet në një deklaratë.
“U bëjmë thirrje palëve të interesuara në Mianmar të ndërpresin armiqësitë dhe të zgjerojnë armëpushimin, për të lehtësuar rrugën e gjatë dhe të vështirë drejt rimëkëmbjes dhe për të lehtësuar vuajtjet e popullit të Mianmarit”, tha Mohamad në fjalën e tij hapëse.
Malajzia aktualisht mban kryesinë e rradhës të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) me 10 vende.
Blloku ka udhëhequr deri më tani përpjekje diplomatike të pafrytshme për t’i dhënë fund konfliktit në Myanmar që kur junta organizoi një grusht shteti që rrëzoi udhëheqësen civile Aung San Suu Kyi në shkurt 2021.
ASEAN ka luftuar për të zbatuar një plan paqeje me pesë pika të dakordësuar nga të gjithë udhëheqësit e bllokut, përfshirë juntën, në prill 2021.
Zyrtarëve të juntës u është ndaluar pjesëmarrja në samitet e ASEAN-it për shkak të mungesës së përparimit në një marrëveshje paqeje.
Kryeministri malajzian, Anwar Ibrahim, u takua me udhëheqësin e juntës së Mianmarit, Min Aung Hlaing, në Bangkok në prill dhe i kërkoi atij të respektonte armëpushimin.
Kombet e Bashkuara dhe monitoruesit e pavarur të konfliktit thonë se junta ka vazhduar fushatën e saj të bombardimeve ajrore pavarësisht armëpushimit.
Në mesin e majit, dëshmitarët thanë se një sulm ajror i juntës goditi një shkollë pranë epiqendrës së tërmetit në rajonin Sagaing, duke vrarë 22 persona, përfshirë 20 fëmijë.
Grupe të shumta anti-grusht shteti dhe grupe të armatosura etnike kanë bërë premtimet e tyre për të ndaluar armiqësitë.
Megjithatë, disa banorë në Mianmarin lindor thanë se janë zhvendosur ndërsa forcat anti-grusht shteti rrethuan qytetet e kontrolluara nga junta në një rrugë tregtare fitimprurëse drejt Tajlandës fqinje.
Junta e Mianmarit ka njoftuar planet për të mbajtur zgjedhje rreth fundit të vitit.
Por “Qeveria e Unitetit Kombëtar” e opozitës së Myanmarit i ka kërkuar publikut dhe partive politike të bojkotojnë çdo zgjedhje të organizuar nga qeveria ushtarake.
Anwar tha pas takimit të tij në prill me kreun e juntës Min Aung Hlaing se ASEAN kishte shprehur “shqetësim” dhe donte të ndërtonte ngadalë konsensus për të siguruar “zgjedhje të drejta dhe të lira” – diçka që analistët kanë thënë se do të jetë e vështirë, nëse jo e pamundur, për t’u arritur.
(A.A/BalkanWeb)
