Një tjetër vend i pestë në Elbasan rri vërtet ngushtë. Duke qenë se në debutim zunë këtë pozicion, ambicia është që vitin e ardhshëm të kalojnë një shkallë më lart, çka nënkupton kupat e Europës.

Për t’ia arritur kësaj gjëje, zgjidhja vjen vetëm nga merkato. Deri më tani janë përfolur disa emra që mund të bëhen pjesë e verdhebluve dhe ndodhen në listën e atyre që pëlqehen, pavarësisht nëse në fund do shkohet deri në atë pikë sa të bien dakord apo jo. Së fundmi, listës së gjatë i janë shtuar edhe dy emra të rinj dhe bëhet fjalë për futbollistë që sezonin e kaluar kanë qenë pjesë e Laçit, Kleandro Lleshi dhe Agan Mjaki.

LLESHI – Ish-lojtari i Shpresave u afrua vitin e kaluar te kurbinasit pas aventurës me Kukësin. Nga një mesfushor qendre, përfundoi në një qendërmbrojtës për hir të nevojave të skuadrës. Madje, në fund ai mbajti në krah edhe shiritin e kapitenit te bardhezinjtë. Një lojtar polivalent që ka admiruesit e tij në Elbasan, teksa ka pasur minuta të plota në Laç. Ai ka luajtur në 30 ndeshje, të gjitha si titullar me 2583 minuta në këmbët e tij. Mësohet se ka pasur disa sinjale bashkëpunimi mes palëve dhe mbetet për t’u parë nëse në fund do të veshë fanellën verdheblu apo jo. Karrierën e tij më së shumti Lleshi e ka pasur në Spanjë me disa skuadra, para se të vinte të “zbulonte” futbollin shqiptar me Kukësin dhe së fundmi Laçin.lleshiMJAKI – Një emër që intrigon jo pak në Elbasan është edhe ai i Agan Mjakit. Mbrojtësi i linjës së djathtë shihet si një lojtar që mund t’u bënte shumë punë elbasanasve, në një kohë që në këtë repart të mbrojtjes ka vetën një lojtar, Bledar Lilën. Edhe 22-vjeçari është një ishlojtar i Shpresave, çka tregon se cilësitë nuk i mungojnë. Problem për momentin duket se mbetet kontrata që ka me kurbinasit, pasi i mbaron vitin e ardhshëm. Mirëpo, rënia e bardhezinjve në të Parën, mund ta bëjë më të lehtë operacionin, ndoshta edhe me formulën e huazimit. Mjaki luan prej dy sezonesh me kurbinasit dhe gjithashtu ka qenë një titullar i padiskutueshëm. Vitin e fundit ai ka luajtur në 31 ndeshje, me 2788 minuta. Bie në sy edhe për nuhatjen në portë, sepse ia ka dalë që të shënojë edhe pesë gola këtë edicion.mjakiTË TJERËT – Aktualisht, bëhet fjalë për një periudhë vëzhgimi dhe diskutimi emrash në tavolinë, pasi të gjithë lojtarët janë nën kontrata me ekipet e tyre. Në Elbasan janë lakuar shumë të tillë, nga porta në sulm. Deri më tani janë përfolur vetëm lojtarë që luajnë në kampionatin shqiptar, por në klub pohojnë se një vëmendje të shtuar ka edhe nga tregu i huaj, edhe për faktin se nuk ka më limite sa i përket numrit të tyre. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se cilët do të jenë futbollistët që do të afrohen, pasi edhe konkurrenca në merkato pritet të jetë gjithashtu e ashpër.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb