Universiteti “Luarasi” po hyn në një fazë të re zhvillimi, duke sjellë programe të reja studimi dhe mundësi reale për t’u afruar më shumë me tregun e punës. Në studion e News24 ishte e ftuar Dr.Blerina Shkurti, Përgjegjëse e Departamentit të së Drejtës Private e cila diskutoi për risitë e reja në universitet, por edhe suksesin e saj i cili ka sjellë edhe mundësi për studentët.
Ajo tha se Universiteti “Luarasi” ka filluar aktivitetin e saj që në vitin 2003 dhe prej vitesh studentët kanë një rrjet shumë funksional të alumnit dhe se statistikat e fundit tregojnë se rreth 19 studentë aktualisht punojnë si magjistratë në funksionet më të larta të sistemit drejtësor.
Shkurti e theksoi këtë fakt si një sukses dhe rekord për universitetet e sistemit privat në Shqipëri.
“Universiteti Luarasi është hapur që në vitin 2003 dhe unë jam një nga studentet e para të universitetit dhe jam pjesë e saj prej 22 vitesh. Si shembull im ka edhe shumë shembuj të tjerë dhe studentët e Luarasit kanë një rrjet shumë funksional të alumnit i cili funksionon jo vetëm në tregun e punës dhe ne kemi marrë disa statistika kohët e fundit ku rreth 19 studentë të Universitetit Luarasi tashmë janë magjistratë në funksionet më të larta të sistemit drejtësisë dhe janë gjyqtarë, prokurorë, këshilltar pra kanë fituar shkollën e magjistraturës dhe ky është një rekord për universitetet e sistemit privat në Shqipëri”, tha ajo.
Më tej, Shkurti shtoi se kjo është një histori suksesi pasi shumë familjarë rekomandojnë studentët të vijnë të studiojnë tek universiteti Luarasi dhe se universiteti është i njohur në tregun e punës pasi janë të certifikuar me një diplomë ndërkombëtare.
“Kemi rreth 12 noter të cilët janë funksionarë publik në gjithë Republikën e Shqipërisë dhe shumë të tjerë të cilët janë pjesë e kompanive më prestigjoze. Mendoj se është edhe një histori suksesi pasi shumë familjarë rekomandojnë studentët të vijnë të studiojnë tek universiteti Luarasi dhe mund të them një shembull kur një nënë e cila ka qënë studente viti më parë sot, është edhe i biri. Ne jemi të njohur në tregun e punës dhe ofrojmë risi dhe askush nuk i duket e huaj një diplomë ndërkombëtare e cila është e certifikuar dhe studentët tanë kanë arritur rezultatet më të larta”, përfundoi Shkurti.
(BalkanWeb)
